Momente tensioni mes protestuesve dhe rojeve të godinës, ndërsa pjesëmarrësit vijuan me thirrjet "Rama ik" dhe "Dorëheqje"
Protesta e 30-të kundër qeverisë mori një tjetër zhvillim mbrëmjen e sotme, ku protestuesit kanë rrethuar Universitetin Politeknik të Tiranës, duke kërkuar rikthimin e një banderole që, sipas tyre, ishte hequr më herët nga efektivët e Policisë së Shtetit.
Pasi mbërritën pranë godinës, protestuesit kërkuan sqarime për vendndodhjen e banderolës dhe bënë thirrje që ajo t'u kthehej. Më pas, një pjesë e tyre hynë në ambientet e universitetit, duke këmbëngulur se banderola ishte marrë padrejtësisht dhe duhej rikthyer.
Gjatë hyrjes në godinë u krijuan momente tensioni mes protestuesve dhe rojeve të sigurisë së Universitetit Politeknik. Pati debate verbale dhe përplasje për shkak të përpjekjeve të protestuesve për të hyrë në ambientet e brendshme, ndërsa rojet u përpoqën të pengonin hyrjen e tyre.
Edhe gjatë këtyre momenteve, protestuesit nuk i ndërprenë thirrjet kundër qeverisë. Ata brohoritën vazhdimisht "Rama ik" dhe "Dorëheqje", duke përsëritur kërkesën e tyre për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe duke e cilësuar protestën si vazhdim të presionit qytetar ndaj qeverisë.
Lini një Përgjigje