TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet29 Qershor 2026, 20:05

Dita e 30-të e protestës, 5 eurodeputetë i bashkohen tubimit qytetar

Shkruar nga Pamfleti

Dita e 30-të e protestës, 5 eurodeputetë i bashkohen tubimit

Qytetarët i janë rikthyer sërish sheshit "Skënderbej" në ditën e 30-të të protestës antiqeveritare, duke vijuar mobilizimin kundër qeverisë me marshim drejt Kryeministrisë.

Ashtu si në ditët e mëparshme, protestuesit u mblodhën fillimisht në qendër të Tiranës dhe më pas marshuan përgjatë bulevardit "Dëshmorët e Kombit", ku u ndalën para godinës së Kryeministrisë. Gjatë marshimit, pjesëmarrësit iu drejtuan edhe tifozëve të grumbulluar në zonën e "Fan Zone", duke u bërë thirrje që t'u bashkohen protestës.

Gjithashtu, në protestën e sotme marrin pjesë edhe pesë eurodeputetë: Tineke Strik, Daniel Freund, Cristina Guarda, Jutta Paulus dhe Anna Strolenberg, të ardhur nga Gjermania, Holanda dhe Italia.

Ndërkohë, gjatë ditës janë zhvilluar takime mes grupeve koordinuese të protestës, ndërsa studentët pritet të shfaqen me një banderolë surprizë në ditën e 30-të të tubimit.

Edhe këtë herë, protestuesit kanë improvizuar një podium përpara godinës së Kryeministrisë, ku pritet të mbahen fjalimet dhe mesazhet politike të radhës.

Protesta zhvillohet vetëm pak orë pasi Policia e Shtetit procedoi penalisht 31 persona për ngjarjet e protestës së një dite më parë. Sipas policisë, ata akuzohen për organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime të paligjshme, prishje të rendit dhe qetësisë publike, si dhe pengim të qarkullimit të mjeteve.

Lini një Përgjigje