
Pas një aksidenti me makinën e tij të marrë me qira, holandezi Perry Beenen u ndalua për ditë të tëra nga Policia, ndërsa ishte me pushime në Shqipëri dhe iu desh të paguante mijëra euro.
Pavarësisht ndihmës ligjore të Perry-t, nuk ka gjasa që ai të marrë mbrapsht shumën e paguar.
Diçka shkon keq gjatë pushimeve të Perry-t dhe familjes së tij në vendin e Evropës Lindore. Më 6 gusht, ata udhëtuan me një makinë me qira drejt një qyteti me 30,000 banorë në jug të vendit. Ndërsa Perry po largohej nga një hotel, ai u përfshi në një aksident, ku dy makina u goditën anash.
"Në Holandë, ne thjesht shkëmbenim raporte dëmesh, por këtu, gjërat ishin pak më ndryshe", thotë Perry, duke sqaruar "policia dhe familja e burrit mbërritën menjëherë dhe rruga u mbyll. Duke përdorur Google Translate, më thanë se duhej të shkoja në stacionin e policisë. Supozohej të ishte një formalitet."
Burgu shqiptar
Pasi mbërriti në stacion, zbuloi se po përballej me akuza për shkaktimin e një aksidenti që plagosi dikë. "Pastaj më thanë se do të mbahesha për të paktën 72 orë", kujton Perry.
Ai rrëfen se "duhej të shkoja në burg dhe kjo ishte hera e fundit që e pashë gruan time para se të lirohesha gjashtë ditë më vonë”.
“Qelia në të cilën ndodhesha dukej si e viteve 1960, me batanije të vjetra me pluhur dhe jashtëqitje miu në cep. Nuk mund të flisja me familjen time dhe kontakti im i vetëm me botën e jashtme ishte me avokatin tim", rrëfen ai.

Pasi u fut në burg, Perry-t iu urdhërua të paguante shpenzime të shumta që lidheshin me aksidentin. Ai duhej të paguante lirimin me kusht dhe shpenzimet e spitalit për shoferin tjetër të përfshirë, që arrinin në total afërsisht 12 mijë euro. Gruaja e tij, Annelies, duhej të vraponte nga një bankomat në tjetrin për të mbledhur fondet e nevojshme. "Më në fund, më lanë të dilja nga burgu", thotë Perry.
Perry tani dëshiron t’i paralajmërojë të tjerët për rreziqet e pushimeve në Shqipëri. “Nuk do të kthehem më kurrë”, thotë ai, ndërsa shton “është një destinacion pushimesh jashtëzakonisht popullor, por nuk është pjesë e Bashkimit Evropian. Ka rregulla krejtësisht të ndryshme dhe njerëzit mezi flasin anglisht.”
Duket se Perry nuk është turisti i parë që e ka përjetuar këtë. Ministria e Punëve të Jashtme kohët e fundit lëshoi një paralajmërim specifik në lidhje me arrestimet në aksidentet rrugore. Ministria paralajmëron gjithashtu kundër drejtimit agresiv të automjeteve dhe kushteve të këqija të rrugëve.
Lini një Përgjigje