
Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për një drejtësi që jo vetëm është e pavarur, por edhe që jep llogari...
Me 83 mandatet të siguruar nga zgjedhjet e 11 majit, ‘supermazhoranca’ e kryeministrit Edi Rama, ka synime të qarta ndaj Prokurorisë së Posaçme SPAK. Më të fortë se kurrë dhe pa një kundërshtarë të denjë përballë, ‘ekspertët’ e PS-së kanë nisur të nxjerrin nga sirtarët planet e vjetra për kapjen e SPAK-ut.
Një sinjal të tillë e dha sot ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja në tryezën “Vlerësimi i Arkitekturës Institucionale në Funksion të Performancës dhe Integritetit të Prokurorisë së Posaçme: Garancitë për Pavarësinë dhe Mekanizmat e Llogaridhënies”.
Në fjalën e tij, Manja nuk fshehu ‘frikën’ e mazhorancës për mos pasjen e një ‘leve’ kontrolli mbi SPAK-un, teksa theksoi se pavarësia e Prokurorisë së Posaçme nuk mund të jetë një qëllim në vetvete.
Sipas tij, pavarësia duhet të shoqërohet me mekanizma të qartë dhe efektivë të llogaridhënies, për të garantuar që fuqia e dhënë institucioneve të drejtësisë të mos kthehet në vetë referencë.
“SPAK është një nga arritjet më të prekshme të kësaj reforme – një strukturë e ndërtuar mbi themelet e integritetit, profesionalizmit dhe pavarësisë funksionale. Por, siç e thekson me të drejtë edhe Raporti që u prezantua sot, pavarësia nuk është një qëllim në vetvete. Ajo duhet të shoqërohet me mekanizma të qartë dhe efektivë të llogaridhënies, për të garantuar që fuqia e dhënë institucioneve të drejtësisë të mos kthehet në vetë-referencë, por të shërbejë interesit publik dhe sundimit të ligjit. Në këtë kuadër, koordinimi ndërinstitucional merr një rëndësi të veçantë”, tha ministri Manja ndër të tjera.
Me këtë, Manja la të kuptohet se mazhoranca do të krijojë një “levë” artificiale për të kontrolluar punën e SPAK-ut. Një “levë” e tillë po përgatitet prej muajsh nga Xhafaj dhe me siguri, me nisjen e sesionit të ri parlamentarë do ta shohim atë të vijë në jetë.
“Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për një drejtësi që jo vetëm është e pavarur, por edhe që jep llogari për rezultatet e saj. Kjo kërkon transparencë, standarde të qarta etike dhe profesionale, si dhe një kulturë të re institucionale që e sheh llogaridhënien jo si kërcënim, por si pjesë përbërëse të legjitimitetit të saj”, përfundoi Manja.
Ndërkohë që në të njëjtën tryezë me ministrin Manja, ishte vetë kreu i SPAK, Alitn Dumani i cili theksoi se disa propozime të ardhura nga Kuvendi synojnë pavarësin e Prokurorisë së Posçame, duke parljmëruar në një farë mënyrë tentativën e Kuvendit për të 'kapur' SPAK-un.
Lini një Përgjigje