
Për herë të parë, Policia e Shtetit ka hapur garën për përzgjedhjen e Drejtorit të Departamentit të Sigurisë Publike, një nga pozicionet më të rëndësishme në strukturën e saj.
Afati i fundit për aplikime është data 15 korrik 2025, dhe procesi shënon një risi në mënyrën e përzgjedhjes së drejtuesve të lartë të policisë. Sipas kritereve të përcaktuara, kandidatët duhet të mbajnë gradat “Drejtues” ose “Drejtues i Parë”, të kenë shtetësi shqiptare dhe të mos kenë asnjë dënim penal me vendim të formës së prerë.
Po ashtu, aplikantët nuk duhet të kenë pasur shkelje të rënda disiplinore brenda tre viteve të fundit, duhet të jenë në gjendje të mirë shëndetësore për të ushtruar detyrën dhe të mos kenë konflikt interesi, në përputhje me legjislacionin përkatës.
Ky është një ndryshim i rëndësishëm nga praktikat e mëparshme, pasi deri më tani drejtuesi i këtij departamenti emërohej pa garë. Aktualisht, postin e mban Rebani Jaupi, por nuk dihet ende nëse ai do të marrë pjesë në garë.
Pas mbylljes së aplikimeve, një komision i posaçëm do të verifikojë dokumentacionet dhe do të kryejë intervistimin e kandidatëve, të cilët do të vlerësohen me pikë për përzgjedhjen përfundimtare.
Ndërkohë, gara për drejtuesit e departamenteve të tjera të Policisë së Shtetit nuk është hapur ende, duke lënë të hapur mundësinë për procese të ngjashme në të ardhmen.
Lini një Përgjigje