TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 8 Korrik 2025, 11:40

Tentativat e Kuvendit për të 'kapur' SPAK-un, Dumani: Rekomandimet që synojnë balancën kushtetuese, të rrezikshme!

Shkruar nga Pamfleti

Tentativat e Kuvendit për të 'kapur' SPAK-un, Dumani:

Dumani nënvizoi se rekomandimet nuk duhet të tejkalojnë kufijtë kushtetues, pasi mund të rrezikojnë pavarësinë institucionale të Prokurorisë së Posaçme.

Kreu i Strukturës së Posaçme AntiKorrupsion, (SPAK) Altin Dumani, foli në detaje sa i takon performancës së Prokurorisë së Posaçme, pavarësisë dhe llogaridhënies së institucionit që ai drejton.  

Duke folur në tryezën me temë; “Vlerësimi i Arkitekturës Institucionale në Funksion të Performancës dhe Integritetit të Prokurorisë së Posaçme: Garancitë për Pavarësinë dhe Mekanizmat e Llogaridhënies”, Dumani theksoi rëndësinë e balancës mes llogaridhënies dhe mbrojtjes së pavarësisë institucionale.

Lidhur me marrëdhëniet me Kuvendin, Dumani theksoi se institucionet kanë pasur komunikim të mirë dhe çdo rekomandim i ardhur nga Kuvendi apo Këshilli i Ministrave është trajtuar me seriozitet dhe është reflektuar në raportet vjetore të SPAK.

Megjithatë, kreu i SPAK nënvizoi se rekomandimet nuk duhet të tejkalojnë kufijtë kushtetues, pasi mund të rrezikojnë pavarësinë institucionale të Prokurorisë së Posaçme.

“Ndërhyrjet me karakter konstruktiv janë të mirëpritura kur janë të argumentuara mirë dhe i shërbejnë nevojave reale për përmirësim. Çdo përpjeke për të cenuar pavarësinë funksionale të SPAK, nëpërmjet rekomandimeve të paqarta ose të njëanshme, rrezikojnë të ç’balancojnë kufijtë kushtetues mes pushteteve. Vetëm duke respektuar ndarjen e pushteteve dhe rolin e institucioneve të pavarura, mund të ruajmë balancën Kushtetuese që i jep kuptim reformës në drejtësi dhe besimit të publikut ndaj saj.

Në raportin e SPAK do gjeni edhe shpjegimet si janë përmbushur rekomandimet e Kuvendit apo të Këshillit të ministrave. Vlerësojmë se rekomandimet do bazohen në analiza të thelluara, objektive dhe të konsultuara me institucionet e pavarura Kushtetuese në mënyrë që të sigurohet një komunikim funksional pa tejkaluar kufijtë Kushtetues”, deklaroi Dumani. 

Sa i takon llogaridhënies nga SPAK, për prokurorët e posaçëm janë trajtuar nga Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë (ILD) plot 61 raste me vendime përfundimtare, çka sipas tij dëshmon se llogaridhënia funksionon, brenda kornizës ligjore. Ai vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin me Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP), duke e cilësuar si një institucion mbështetës për punën e SPAK.

“ILD ka ushtruar kontrolle në SPAK dhe ka dalë edhe me raporte, dhe ne në bazë të rekomandimeve kemi përmirësuar metodën e punës. Në dijeninë time, janë trajtuar nga ILD 61 raste me vendime përfundimtare, çka tregon se prokurorët e posaçëm japin llogari edhe te ILD-ja. Me KLP-në kemi marrëdhënie shumë të mirë, ka qenë mbështetje për SPAK, kemi komunikime për aq sa ka kompetencë“, u shpreh ai. 

Më tej ai theksoi se çdo veprim i prokurorëve kontrollohet nga gjykata, ajo e Shkallës së parë, e Apelit, apo e Lartë. 

“Jemi dëshmitarë që edhe në Gjykatën Kushtetuese janë trajtuar shumë çështje. Raportet para KLP-së dhe Kuvendit janë brenda parashikimeve ligjore, patjetër që ka nevojë për përmirësim. Jemi të hapur dhe mirëpresim rekomandime”, deklaroi kreu i SPAK. 

Ndër të tjera, Dumani u ndal edhe tek llogaridhënia individuale dhe mekanizmat disiplinore, të cilat i quajti çështje kyçe për të cilat do të punohet ngushtësisht.

“Një moment tjetër që trajtohet në dokumentin e qendrës është sa i përket pasqyrimit më të thelluar të dhënave për ndjekjen penale. Raportet tona përmbajnë informacione edhe për mosfillimet e procedimeve si dhe për ankimet e tyre më pas në gjykatë. Në fund dua të ndalem tek llogaridhënia individuale ku përfshihen zbatimi i standardeve të etikës, vlerësimi periodik i performancës dhe mekanizma disiplinore. Ne i konisderojmë këto si çështje kyçe dhe do të punojmë ngushtësisht që këto mekanizma të jenë të qartë të matshëm dhe në përputhje me standardet më të larta të drejtësisë”, përfundoi Dumani.

Lini një Përgjigje