TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 8 Korrik 2025, 10:43

Përplasja e Ramës me Prokurorinë e Shkodrës, Gonzato: Të ndalet presioni ndaj drejtësisë 

Shkruar nga Pamfleti

 Përplasja e Ramës me Prokurorinë e Shkodrës, Gonzato:
 
Vetëm një ditë pas deklaratave të djeshme të kryeministrit Edi Rama ndaj prokurores së Shkodrës Elsa Gjeli, për rastin e ndërtimit pa leje të një fshati të vogël turistik në Theth, Bashkimit Europian ka bërë thirrje për ndaljen e presioneve ndaj drejtësisë.  

Prezent në tryezën e diskutimit me temë “Vlerësimi i Arkitekturës Institucionale në funksion të Performancës dhe Integritetit të Prokurorisë së Posaçme SPAK”, ambasadori i BE, Silvio Gonzato, bëri thirrje që të ndalohen presionet e çdo lloj forme ndaj drejtësisë, teksa theksoi se pavarësia e këtij pushteti kërkon respekt dhe besim. 

Ai tha se reforma në drejtësi ka dhënë atë që pritej nga Shqipëria në rrugën drejt BE-së, ndërsa shtoi se ka edhe shumë punë për të bërë në zbatimin e plotë të saj.   

“Vendimet gjyqësore kanë vlerësim dhe ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve. Pavarësia pa llogaridhënie rrit rrezikun për abuzime me pushtetin. Në raportet tona të zgjerimit siç kemi thënë dhe në atë të sundimit të ligjit, kemi thënë se arkitektura e reformës në drejtësi ofron drejtpeshim të duhur dhe të drejtë ndërmjet llogaridhënes dhe pavarësisë. Reforma në drejtësi ka dhënë atë që pritej nga Shqipëria dhe kontribut të madh për ecurinë e mrekullueshme drejt BE. Ka ende shumë punë për të bërë në zbatimin e kësaj reforme, dhe inkurajojmë institucionet përkatëse, në veçanti ato të pavarura të drejtësisë. Ajo që shikojmë sot është pjesë e procesit të anëtarësimit, monitorimi nga shoqëria civile. Të gjitha këto gjëra themelore në çdo sistem”, u shpreh Gonzato. 

Teksa tha se dëshiron ta shikojë gotën gjysmë plot, Gonzato theksoi rëndësinë e ruajtjes së këtyre hapave pozitivë të arritura. Ai u ndal edhe te KLP, teksa e vlerësoi për ecurinë që ka bërë në vlerësimin e prokurorëve. 

“Dua që gotën ta shikoj gjysmë plot dhe jo gjysmë bosh se duhet të ruajmë këto hapa pozitivë që janë bërë tashmë. Së pari theksoj arritjet e KLP që kam pasur kënaqësi ta takoj në formatin e vet të plotë kohët e fundit. Vlerësimi ynë tregon se KLP ka pasur ecuri domethënëse në krahasim me vitet e  mëparshme për vlerësimin e prokurorëve. Edhe vlerësimet e prokurorëve bazohen te performanca e tyre. Këto tregues duhet të jenë objekt i shqyrtimeve të strukturuara dhe metodologjike. Psh kritere si efikasiteti i çështjeve, aftësitë menaxheriale dhe etika në punë mund të kërkojnë përshtatje dhe kemi besim se KLP do t’i bëjë këto rishikime. Por pjesa e llogaridhënies nuk mbetet në mënyrë ekskluzive mbi shpatullat e KLP, prandaj kemi inkurajuar dhe ILD dhe Shkollën e Magjistraturës. Kemi mirëpritur se takime të tilla janë bërë më të shpeshta duke shënuar hap të rëndësishëm përpara sa i takon llogaridhënies”, shtoi Gonzato. 

Më tutje, vlerësoi gjithashtu edhe procesin transparent të zgjedhjes së kreut të SPAK, duke shtuar se një praktikë e tillë duhet të ndiqet edhe me emërime të tjera.  

Gonzato risolli në vëmendje gjithashtu disa rekomandime të bëra edhe në raportet e mëparshme të BE-së që sipas të cilit duhen adresuar shpejt. 
 

Lini një Përgjigje