Ekonomi20 Shtator 2023, 14:50

Qeveria "lekun letër" në 2023, të ardhurat buxhetore rriten me 460 milionë euro

Shkruar nga Pamfleti
Qeveria "lekun letër" në 2023, të ardhurat buxhetore
Edi Rama

Të ardhurat në buxhetin e shtetit u rritën me 12.9 për qind në tetë muajt e parë të vitit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, falë performancës së fortë të arkëtimeve nga Tatimi mbi Fitimin, Akcizat, Taksat Nacionale dhe veçanërisht kontributeve të sigurimeve shoqërore.

Të dhënat paraprake nga Ministria e Financave, tregojnë se për periudhën Janar-Gusht, qeveria mblodhi 425.2 miliardë lekë gjithsej nga taksat dhe burimet e tjera të të ardhurave, nga 376.7 miliardë lekë që ishte shifra progresive në Gushtin e një viti më parë.

Rritja prej 48.5 miliardë lekësh ose afro 460 milionë euro konfirmon se ecuria e të ardhurave është në përputhje me programin buxhetor. Për gjithë vitin 2023, qeveria ka programuar të mbledhë 642.6 miliardë lekë të ardhura gjithsej nga 576.8 miliardë që mblodhi vitin e kaluar.

Më shumë sigurime dhe tatim fitimi

Rritja e të ardhurave këtë vit po udhëhiqet veçanërisht nga dy zëra. I pari është ai i kontributeve. Falë rritjes së pagës minimale dhe rritjes së rrogave në tërësi, qeveria është duke mbledhur më shumë para nga kontributet e sigurimeve.

Sipas tabelave, deri në fund të gushtit të ardhurat nga Fondet Speciale, që përfshijnë sigurimet shoqërore dhe ato shëndetësore, arritën në 94.8 miliardë lekë ose 14.5 miliardë lekë më shumë se një vit më parë.

Në vendin e dytë me rritjen më të madhe renditen të ardhurat që qeveria mbledh nga tatimi mbi fitimin e bizneseve. Të ardhurat nga Tatim Fitimi rezultuan 40.9 miliardë lekë në fund të Gushtit ose 10.9 miliardë lekë më shumë se një vit më parë.

Ecuria e fortë e tatimit mbi fitimin i dedikohet kryesisht taksës së jashtëzakonshme mbi prodhuesit e energjisë elektrike. Kjo taksë e cila paguhet nga 3 kompani, Statkraft, Ayen dhe Kurum ka sjellë rreth 4.6 miliardë lekë të ardhura në arkën e qeverisë, ndërkohë që kësti i dytë i taksës arkëtohet në tetor.

Ndërsa të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar janë me një rënie të lehtë krahasuar me një vit më parë, për shkak të efektit negative që vjen nga forcimi i lekut kundrejt euros. Baza e TVSH-së janë importet në dogana, të cilat në tetë muajt e parë të vitit ishin 30 miliardë lekë më pak se vitin e kaluar./Kapital.al

qeveria 460 milionë euro buxheti