Një tjetër banor i lënduar nga zjarri në fshatin Kopaçez, bashkia Delvinë, është transportuar drejt spitalit të traumës në Tiranë për trajtim të specializuar.
42-vjeçari Apostol Zhupa, banor i Kopaçezës, ishte pjesë e grupit të banorëve që po përpiqeshin të shuanin flakët që kishin përfshirë zonën. Ai ka pësuar djegie të shumta në pjesën e gjoksit dhe shpatullave.
Fillimisht, Zhupa mori ndihmën e parë në spitalin rajonal të Sarandës, ndërsa më pas u dërgua me ambulancë drejt Tiranës për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.
Ministria e Mbrojtjes ndërkohë ka ngritur në fluturim dronët Bayraktar TB2 për të monitoruar situatën nga zjarret në të gjithë vendin.
Ministri Pirro Vengu, ka publikuar pamjet që kanë ardhur nga dronët Bayraktar pas monitorimit në 18 vatra zjarri aktive në rang vendi.
“Që në orët e para të mëngjesit, dronët Bayrakatar TB2 të Forca Ajrore kanë realizuar fluturime mbi 18 vatrat aktive për të vlerësuar nivelin e riskut. Ekuipazhet e Forcave Ajrore dhe efektivët e Forcave te Armatosura në terren në gatishmëri për të ndërhyrë kudo në territor, me përparësi në zonat e banuara”, thotë ministri Vengu në një postim në rrjetet sociale.
Vatrat e zjarrit janë aktive nga Tropoja në Gjirokastër. Situata më e rëndë ishte ditën e premte në zonën e Delvinës, ku për shkak të flakëve intensive, u urdhërua evakuimi i 3 fshatrave të zonës.
Lini një Përgjigje