Aktualitet25 Maj 2024, 14:55

Rezoluta e OKB për Srebrenicën, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë pro: Të dënohet edhe gjenocidi serb në Kosovë!

Shkruar nga Pamfleti

Rezoluta e OKB për Srebrenicën, Këshilli i Ambasadorëve
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë, shpreh mbështetje të qartë për rezolutën e fundit 78/282 të Kombeve të Bashkuara, që dënon çdo mohim të gjenocidit të Srebrenicës.

“Ne qëndrojmë në solidaritet me të mbijetuarit dhe familjet e viktimave. Kujtimi i Srebrenicës duhet të shërbejë si një kujtesë e mprehtë e përgjegjësisë sonë kolektive për të parandaluar tragjedi të tilla në të ardhmen”
, thuhet në deklaratë.

Duke miratuar këtë Rezolutë dhe duke caktuar 11 korrik si “Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të 1995 në Srebrenicë”, Komuniteti Ndërkombëtar ripohoi angazhimin e tij për të promovuar paqen, pajtimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë e konsideron miratimin e kësaj Rezolute si një hap të rëndësishëm drejt avancimit të stabilitetit, sigurisë dhe paqes në rajonin tonë.

"Për më tepër, inkurajojmë të gjitha palët, brenda dhe jashtë Shqipërisë, të angazhohen në përgatitjen dhe miratimin e një rezolute që pranon dhe dënon gjenocidin serb në Kosovë", thuhet më tej në deklaratë.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën që e shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.

Forcat serbe në këtë rajon lindor të Bosnje e Hercegovinës vranë mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë në korrik të vitit 1995.

Rezoluta, e bashkësponsorizuar nga Gjermania dhe Ruanda, kaloi me 84 vota pro, 19 kundër dhe 68 abstenime.