Aktualitet16 Tetor 2023, 17:40

Samiti i Berlinit, Tirana merr vëmendjen e mediave ndërkombëtare

Shkruar nga Pamfleti

Samiti i Berlinit, Tirana merr vëmendjen e mediave ndërkombëtare

Tirana është shndërruar ditën e sotme në qendrën e Europës pasi ka mirëpritur Samitin e Procesit të Berlinit ku marrin pjesë përfaqësuesit më të rëndësishëm të Bashkimit Europian, si dhe liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ky takim i rëndësishëm që ka përfunduar sesionin e parë deri më tani ka marrë vëmendjen e medieve ndërkombëtare.

Associated Press thekson se ky samit nuk i jep rëndësi vetëm Ballkanit, në rrafshin politik dhe ekonomik, por edhe për faktin që një ngjarje e tillë, zhvillohet për herë të parë jashtë kufijve të Unionit Europian.

“Bashkimi Evropian ofron një plan të ri rritjeje për Ballkanin Perëndimor, duke hapur pjesërisht tregun e përbashkët”, shkruan prestigjiozja Associated Press, e cila e shoqëron lajmin me një kolazh fotosh nga pritja që i bën kryeministri Rama liderëve të Europës.

Edhe Radio France Internationale del me titullin “Integrimi i Ballkanit Perëndimor në fokus të samitin e Shqipërisë”, teksa vendos një foto ilustruese të presidentit francez me numrin 1 të qeverisë shqiptare.

Ndërkohë, mediat greke janë më të fokusuara tek çështja e Himarës, teksa vendosin në okelio, që prania e Mitsotakis në Tiranë kushtëzohet me betimit e Fredi Belerit që rruga drejt BE-së të shpejtohet.

TV shtetëror i Kosovës, RTK gjen rastin të tregojë mundësinë që i jepet Albin Kurtit për të takuar kancelarin Scholz, e po ashtu ta raportojë samitin si një ceremoni festive që ka lënë shije të mirë në gjithë kontinentin.

Nga ana tjetër, media serbe Tanjug, gjen me vend të pasqyrojë mesazhin se “Serbia mbështet konceptin e krijimit të një tregu të përbashkët rajonal”, duke cituar kryeministren Brnabiç.

Në sesionin e parë të Samitit të Berlinit, vëmendjen e mori konflikti mes Kosovës e Serbisë dhe nevoja për të lënë prapa të shkuarën, nëpërmjet paqes e dialogut.

Kryeministri Rama i kërkoi BE-së të mos vërë afate anëtarësimi dhe të zhdukë ndasitë me Ballkanin Perëndimor, duke marrë edhe një premtim nga presidenti i Këshillit Europian. Ndërsa kryeministri i Spanjës që nuk njeh Kosovën, bëri thirrje që Izraeli e Palestina të njohin njëra tjetrën, si e vetmja mënyrë për paqe.

samiti i berlinit tirana mediave ndërkombëtare