Një bombol gazi ka shpërthyer pasditen e sotme në lagjen “1 Maji” të Fierit, duke shkaktuar panik dhe dy të plagosur. Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se banesa ku ndodhi shpërthimi nuk ishte thjesht e banuar, por përdorej edhe si pikë e vogël tregtie për gaz.
Nga shpërthimi kanë pësuar djegie dy persona, shtetasit E.T., 63 vjeç dhe A.R., 41 vjeç, të dy banues në Fier. Ata janë transportuar menjëherë drejt spitalit rajonal, ku po marrin trajtim mjekësor dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja ka alarmuar banorët e zonës, të cilët kanë ndërhyrë me mjete rrethanore për të ndihmuar në përballimin e flakëve, deri në mbërritjen e forcave zjarrfikëse. Këto të fundit kanë arritur të neutralizojnë zjarrin dhe të parandalojnë përhapjen e mëtejshme të flakëve.
Policia ka konfirmuar se rreth orës 18:30, dyshohet se bombola ka marrë zjarr aksidentalisht. Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po kryen hetimet për të zbardhur plotësisht shkaqet e incidentit. Rasti ngre edhe një herë alarmin për sigurinë e përdorimit dhe magazinimit të bombolave të gazit në mjedise banimi.
Lini një Përgjigje