Temperaturat që në disa zona kalojnë 39°C kanë detyruar autoritetet të anulojnë parada dhe aktivitete festive, ndërsa qytetet po marrin masa të jashtëzakonshme për mbrojtjen e qytetarëve.
Shtetet e Bashkuara po shënojnë këtë fundjavë 250-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, por festimet e 4 Korrikut po zhvillohen nën ndikimin e një vale të fortë të nxehti që ka përfshirë pjesën më të madhe të bregut lindor të vendit.
Miliona amerikanë pritej të merrnin pjesë në parada, koncerte dhe festivale të organizuara me rastin e këtij jubileu historik, 250 vjet pas miratimit të Deklaratës së Pavarësisë më 4 korrik 1776. Megjithatë, temperaturat ekstreme kanë detyruar autoritetet lokale të anulojnë ose të ndryshojnë një pjesë të aktiviteteve, duke paralajmëruar për rreziqe serioze ndaj shëndetit të qytetarëve.
Ndryshe nga vitet e mëparshme, përvjetori i këtij viti është organizuar në një shkallë shumë më të gjerë, pas disa vitesh përgatitjesh. Megjithatë, organizimi është shoqëruar edhe me debate politike. Fillimisht, Kongresi kishte ngarkuar komisionin dypartiak "America250" me koordinimin e festimeve, por më pas Presidenti Donald Trump, përmes një urdhri ekzekutiv, ia kaloi organizimin e shumë prej aktiviteteve kryesore komitetit "Liberty 250".
Edhe programi artistik u përball me ndryshime, pasi disa artistë të njohur u tërhoqën nga pjesëmarrja për shkak të lidhjes së aktiviteteve me administratën Trump. Në hapjen e Panairit të Madh Shtetëror Amerikan në National Mall, presidenti mbajti një fjalim, duke e cilësuar veten "atraksioni numër një kudo në botë".
Anulime dhe ndryshime për shkak të vapës
Temperaturat, që në disa zona të Uashingtonit arritën mbi 39 gradë Celsius, detyruan organizatorët të mbyllnin përkohësisht Panairin e Madh Shtetëror Amerikan.
Në Filadelfia u anulua parada për 250-vjetorin e Pavarësisë, ndërsa aktivitete të tjera festive në Pensilvani u shtynë ose u anuluan për arsye sigurie. Edhe transporti hekurudhor është prekur, me kompaninë Amtrak që njoftoi anulime dhe vonesa të mundshme për shkak të ndikimit të temperaturave të larta në infrastrukturën hekurudhore.
Sipas kompanisë, nxehtësia ekstreme mund të shkaktojë zgjerimin e shinave, urave dhe linjave ajrore, duke detyruar vendosjen e kufizimeve të shpejtësisë për trenat.
Masa për mbrojtjen e qytetarëve
Qytetet në të gjithë verilindjen e SHBA-së kanë aktivizuar plane emergjente për të përballuar të nxehtin. Në Nju Jork janë hapur qindra qendra ftohjeje, ndërsa ekipe të posaçme po asistojnë personat e pastrehë dhe grupet më të rrezikuara.
Kryebashkiaku Zohran Mamdani u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë sa më shumë në ambiente të mbyllura dhe të vendosin kondicionerët në 26 gradë Celsius për të shmangur mbingarkesën e rrjetit elektrik.
Ndërkohë, Bostoni ka ofruar hyrje falas në disa muze me ajër të kondicionuar, ndërsa Providence ka zgjatur orarin e pishinave publike dhe parqeve ujore për të ndihmuar qytetarët të përballojnë temperaturat e larta.
Këshillat e autoriteteve
Shërbimi Kombëtar i Motit u rekomandon qytetarëve të konsumojnë sa më shumë ujë, të shmangin ekspozimin e zgjatur në diell dhe të bëjnë pushime të shpeshta në ambiente me hije ose me ajër të kondicionuar.
Autoritetet shëndetësore këshillojnë gjithashtu kufizimin e konsumit të alkoolit dhe monitorimin e personave të moshuar apo grupeve të tjera vulnerabël, ndërsa theksojnë se simptoma si marramendja, konfuzioni, djersitja e tepërt, të përzierat apo lëkura shumë e nxehtë kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme mjekësore.
Si ka thene Fishta, eshte nje Zot qe fort do ta dona.