
Gazetari Osman Stafa ka dorëzuar një kallëzim penal në SPAK, duke denoncuar një nga neglizhencat më të rënda në sistemin shëndetësor shqiptar: mungesën e trajtimit me brakiterapi për gratë që luftojnë me kancerin gjinekologjik.
Kallëzimi i Stafës është adresuar ndaj drejtuesve të QSUT-së, titullarëve të pavijonit të Spitalit Onkologjik, funksionarëve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe çdo personi tjetër përgjegjës për mirëmbajtjen dhe funksionimin e aparaturës së brakiterapisë, e cila prej kohësh rezulton jashtë funksioni.
“Ky nuk është vetëm një aparat, por një mundësi jete. Kur shteti harron të mirëmbajë një pajisje që shpëton jetë, kjo nuk është thjesht neglizhencë, është krim”, ka shkruar Stafa në një postim në rrjetet sociale, ku ka publikuar edhe kallëzimin penal të dorëzuar në SPAK.
Sipas gazetarit, ky është vetëm hapi i parë i një beteje të gjatë për drejtësi dhe përgjegjësi publike. “E vërteta nuk do fshihet më. Heshtja nuk është më opsion”, përfundon ai, duke i bërë thirrje institucioneve të reagojnë për këtë situatë alarmante që prek direkt jetën e qindra grave në vend.


Lini një Përgjigje