
Ndërtimi i mureve prej betoni dhe ndërhyrjet në strukturën natyrore të llixhave, sipas banorëve dhe njohësve të zonës, mund të kenë ndryshuar rrjedhën e burimeve termale.
Një nga perlat natyrore më të njohura të turizmit shqiptar po përballet me një situatë paradoksale. Vetëm pak muaj pas përfundimit të restaurimit me vlerë rreth 2 milionë euro, Banjat e Bënjës në Përmet kanë nisur të humbasin pikërisht atë që i bëri të famshme: ujin termal.
Në prag të sezonit me fluksin më të madh të turistëve, disa prej vaskave nuk arrijnë të mbajnë nivelin normal të ujit, ndërsa problematika është shfaqur edhe në një nga pikat më të frekuentuara të kompleksit natyror.
Sipas burimeve nga zona, përveç uljes sezonale të prurjeve, situata dyshohet se është përkeqësuar pas ndërhyrjeve të kryera gjatë restaurimit. Ndërtimi i mureve prej betoni dhe ndërhyrjet në strukturën natyrore të llixhave, sipas banorëve dhe njohësve të zonës, mund të kenë ndryshuar rrjedhën e burimeve termale.

Projekti i rikualifikimit është financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Por ajo që duhej të ishte një investim për promovimin e turizmit, sot po ngre pikëpyetje të forta mbi cilësinë e punimeve dhe ndikimin që ato kanë pasur mbi një monument natyror unik.
Kritikat janë shtuar edhe në rrjetet sociale, ku ndërhyrja është cilësuar si një "katastrofë mjedisore". Sipas tyre, përdorimi i betonit dhe ndryshimi i strukturës natyrore të llixhave ka dëmtuar një ekosistem që kishte funksionuar për shekuj.
Tashmë mbeten disa pyetje që kërkojnë përgjigje nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe institucionet përgjegjëse:
A është kryer një studim hidrogjeologjik para ndërhyrjes?
Kush ka certifikuar se punimet nuk do të ndikonin në burimet termale?
A do të hetohet nëse restaurimi ka dëmtuar funksionimin natyror të llixhave?
Ndërsa turistët mbërrijnë çdo ditë në Bënjë, investimi që synonte ta kthente zonën në një atraksion model rrezikon të mbahet mend për të kundërtën: një restaurim miliona eurosh që mund të ketë dëmtuar vetë pasurinë natyrore që synonte të promovonte.
Lini një Përgjigje