TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet29 Qershor 2026, 10:25

Sokol Sadushi mesazh magjistratëve të rinj: Presioni do ju vendosë në provë, duhet t’i shërbeni ligjit

Shkruar nga Pamfleti
Sokol Sadushi mesazh magjistratëve të rinj: Presioni do ju
Sokol Sadushi

Kryetari i Gjykatës së Lartë dhe njëherazi kryetar i Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, Sokol Sadushi, u drejtoi një mesazh magjistratëve të sapodiplomuar gjatë ceremonisë së diplomimit, duke theksuar se sfida më e rëndësishme në karrierën e tyre do të jetë fitimi i besimit të qytetarëve.

Në fjalën e tij, Sadushi nënvizoi se hyrja në sistemin e drejtësisë nuk është thjesht përmbyllja e studimeve, por fillimi i një misioni me përgjegjësi të lartë publike, që kërkon profesionalizëm, integritet dhe karakter.

“Do ta kuptoni se dija juridike, sado e thellë të jetë, është vetëm fillimi i rrugës suaj. Do ta kuptoni se dosjet që do të keni përpara nuk janë vetëm akte procedurale. Pas çdo dosjeje ka një njeri, një familje, një biznes, një interes publik, një konflikt dhe shpesh një ankth njerëzor që kërkon përgjigje.

Do ta kuptoni gjithashtu se vendimet më të vështira nuk janë gjithmonë ato ku ligji duket i paqartë. Shpesh, më të vështirat janë ato vendime ku ligji është i qartë, por rrethanat njerëzore, presioni publik, vetmia e vendimmarrjes dhe pesha e pasojave ju vënë në provë”, tha Sadushi.

Kryetari i Gjykatës së Lartë ndaloi gjithashtu te sfidat që sjell epoka e rrjeteve sociale dhe ndikimi i opinionit publik, duke theksuar se magjistratët duhet të udhëhiqen vetëm nga ligji dhe jo nga presioni i perceptimeve apo reagimeve publike.

Sipas tij, autoriteti i një magjistrati nuk buron nga funksioni apo toga që mban, por ndërtohet përmes sjelljes, arsyetimit juridik, dinjitetit dhe drejtësisë në ushtrimin e detyrës.

“Sot Shkolla e Magjistraturës ju jep diplomën. Nesër sistemi i drejtësisë do t’ju japë kompetencën, por besimin nuk do t’jua japë askush. Atë do ta fitoni vetë, çdo ditë, me vendimet që do të merrni, me sjelljen tuaj, me çdo zgjedhje që do të bëni gjatë jetës suaj profesionale. Unë dua të besoj se do ta meritoni. Dua të besoj se brezi juaj do ta bëjë drejtësinë shqiptare më të fortë, jo vetëm përmes dijes dhe profesionalizmit, por edhe përmes karakterit, integritetit dhe dinjitetit me të cilin do ta ushtrojë këtë mision. Dhe një ditë, ndoshta pas shumë vitesh, kur edhe ju të merrni pjesë në një ceremoni si kjo, do ta kuptoni pse disa fjalë duhen përsëritur vazhdimisht: jo sepse janë të reja, por sepse mbeten gjithmonë të vërteta”, mbylli fjalën e tij Sadushi.

sokol sadushi

Lini një Përgjigje