
Prokurorë të SPAK dhe agjentë të BKH-së kanë blinduar Elbasanin. Qarku, nga i cili prodhohen 14 mandate deputetësh, duket se është në vëmendjen totale të strukturave ligjzbatuese që kanë si detyrë themelore të hetojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivelet e larta.
Grupi i monitorimit, i kryesuar nga prokurori Ols Dado, po ndjek në terren hap pas hapi atë se ccfarë ndodh me procesin zgjedhor, ndërkohë që pas 5 ditësh mbahen zgjedhjet parlamentare.
Hetuesit e BKH-së në anën tjetër po përdorin pajisje me teknologji të avancuar për të dokumentuar çdo shkelje që mund të ndodhë gjatë këtij procesi elektoral.
Prokurorët e SPAK dhe agjentët e BKH-së ishin në një takim të përbashkët, që u zhvillua në Prokurorinë e Elbasanit, me pjesëmarrjen e drejtuesve të policisë dhe prokurorisë së këtij qarku.
Në vëmendjen e grupit të punës përfshihen nga përdorimi i burimeve publike, i aseteve të administratës dhe burimeve njerëzore, qarkullimi i parave të pista, ndikimi i krimit të organizuar dhe çdo tentativë për blerje votash.
Sipas burimeve zyrtare, angazhimi i organeve ligjzbatuese ka si qëllim garantimin e pastërtisë së procesit zgjedhor të datës 11 Maj.
Lini një Përgjigje