SPAK ka nisur sekuestrimin e pronave të Artan Gaçit, burrit të ish-ministres Olta Xhaçka në Palasë.
Prokuroria e Posaçme kundër krimit dhe Korrupsionit (SPAK) i ka sekuestruar 5512 m2 truall Artan Gaçit bashkëshortit të Ministres Olta Xhaçka. Sekuestro preventive është vendosur, pasi po hetohet për falsifikim të aktit të marrjes së tokës në pronësi.
Kjo sipërfaqe rezulton të jetë një pjesë e tokës me të cilën Gaçi ka fituar statusin e investitorit strategjik pak kohë më parë.
Për këtë truall, Gaçi u mor në pyetje ditë më parë pas kallëzimit të kryetarit të zgjedhur të bashkisë Himarë, Fredi Beleri.
Beleri pretendon se prona është marrë përmes AMTP-ve të falsifikuara. Me qëllim që dokumentet të mos tjetërsohen, SPAK ka bërë sekuestrimin e tyre, ndërsa prona në emër të Gaçit nuk mund të tjetërsohet.
Po ashtu pak javë më parë SPAK thirri dhe mori në pyetje kryetarin në detyrë të Himarës, Jorgo Gore.
Beleri ka bërë padi në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ndaj ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka, bashkëshortit të saj Artan Gaçi si dhe ish-kreut të Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro.
Në dokumente thuhet se Beleri ka hartuar një dosje që sipas tij përbën skandal me shfrytëzimin e tokave në mënyrë të paligjshme në Bashkinë Himarë.
Më konkretisht, bëhet fjalë për një sipërfaqe toke prej 5512 metra katrorë, të përfituar në mënyrë të parregullt nga Foto Pavllo Mëhilli.
“Në AMTP në emër të Foto Pavllo Mehilli figuron e ndarë një parcelë në vendin Perivolo me nr e ngastrës 36/36/1 me sipërfaqe 5512 m2 e ndarë si tokë truall. Në Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP) nuk mund të ndahej dhe ndalohej shprehimisht në referim dhe kuptim të Ligjit 7501 dt 19.07.1991 “Për Token”, ndarja e sipërfaqeve tokë truall. Një ndarje e tillë është absolutisht e paligjshme, e pavërtetë dhe një nga provat se jemi përpara një AMTP-je të falsifikuar. Komisioni i Tokës në Fshat në kohë, nuk mund te dispononte kurrsesi mbi një sipërfaqe toke truall, sikundër nga ana tjetër, kjo sipërfaqe ku është regjistruar AMTP në fjale në vitin 1994, momenti që gjoja është ndare me AMTP, kjo parcelë nuk ka qenë kurrë tokë truall,” thuhet në kallëzim.
Saga korruptive e Olta Xhaçkës dhe burrit të saj si investitorë strategjikë
Sipas dokumenteve të publikuara më parë nga "Pamfleti", konkretisht për 8000 m2 tokë e plazh, që kanë marrë për resortin “Dreamades Luxury Suites” Gjilekë-Himarë, Artan Gaçi e Olta Xhaçka, kanë paguar 70 mijë lekë tarifë për shërbimet administrative dhe 15 mijë lekë, tarifë për menaxhimin e procedurave të investimeve strategjike.
Sepse kaq e përcakton VKM Nr.1027, datë 16.12.2015 “Për investitorët strategjik”, të cilat kanë të drejtë të marrin falas toka shteti dhe toka private me vendime qeverie e dhunë policore.
Por në rastin konkret, dhënia e titullit “Investitor Strategjik” është bërë shkelje ligjore nga Agjencia e Investimeve ku Kryetar Bordi është vetë Edi Rama, pasi investitori strategjik duhet të ketë 50 milionë Euro kapitale dhe mbi 20 investime të ngjashme turistike në shtete të tjera.
Ndërsa firma “AGTTC Hotel Management Sh.p.k” ka vetëm 5 milionë lekë kapital e asnjë investim askund; madje nuk ka as zyrë, por është me adresë, numër telefoni dhe adresë e-mail të zyrave të kompanisë “AG.TCC Sh.p.k”, në pronësi të burrit të ministres Xhaçka.
Në vendimin e firmosur nga kryeministri Edi Rama me 2 mars 2022, thuhet se statusi “Investitor Strategjik”, firmës “AGTTC Hotel Management” i është dhënë me Vendim Nr.3/5, datë 29 mars 2021, të Komitetit të Investimeve Strategjike, ndërsa pas tij është miratuar nga Bashkia Himarë.
Kryebashkiaku Jorgo Goro e Këshilli Bashkiak-Himarë, më 4 nëntor 2021 kanë miratuar kalimin e tokës shtet në përdorim për 30 vite, lejen e ndërtimit, qiranë për plazhin dhe taksat që duhet të paguajë burri i ministres Olta Xhaçka, për resortin “Dreamades Luxury Suites” në Gjilekë; mirëpo ky vendim është zhdukur nga faqja zyrtare dhe arkiva e Bashkisë së Himarës, madje dhe nga Prefektura e Vlorës, që miraton futjen në fuqi të vendimeve të Këshillit Bashkiak.
Por është zhdukur nga arkiva, pasi sipas informacionit, qiraja për 5200 m2 plazh i është caktuar 3 lekë/m2 në muaj; taksa e infrastrukturës 3% e investimit i është falur, ndërsa 5 taksat lokale nuk do t’i merren për 30 vjet, me justifikimin se gjoja do punësojë banorë të zonës.
Lini një Përgjigje