TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet20 Mars 2025, 21:00

Të dhënat e sondazheve/ Si pritet të ndahen mandatet në Tiranë dhe cilët emra rrezikojnë të mbeten jashtë Parlamentit?

Shkruar nga Pamfleti

Të dhënat e sondazheve/ Si pritet të ndahen mandatet në

Tirana mbetet ‘fushëbeteja’ më e madhe ku të gjitha partitë synojnë të marrin mandate.

Teksa jemi futur në “ethet” e zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit, sondazhet e para kanë nisur të japin një ide mbi atë se si mund të shpërndahen vendet në Kuvend. Tirana mbetet ‘fushëbeteja’ më e madhe ku të gjitha partitë synojnë të marrin mandate.

Një sondazh i “Barometrit”, ditën e djeshme dha një ide se si mund të shpërndahen votat në qarkun e Tiranës. Me mbi 1 mijë të intervistuar, Barometri doli në përfundimin se; 35.2% e qytetarëve nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot do të votonin Partinë Socialiste; 24.6% e tyre do të votonin Partinë Demokratike, 5.7% e qytetarëve do të votonin “Shqipëria Bëhet”, 4.4% “Partia Mundësia”, 2.8% “Lëvizja Bashkë”, 1.5% Nisma Thurje, 1% Partia e Lirisë, 0.9% parti të tjera. Ndërkohë 23.9% e qytetarëve janë të pavendosur për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje.

Duke marrë për bazë këtë sondazh, do mundohemi të paraqesim një situatë se sa mandate mund të marrë secila parti në Tiranë. Për të bërë këtë do të duhet të marrim në konsideratë vetëm numrin e njerëzve që i janë përgjigjur sondazhit të Barometrit, 76.1 %, ose 761 votues, që do të përbëjnë edhe 100 për qind-shin e votuesve për të nxjerrë ndarjen e mandateve.

Nga përllogaritjet e 100 për qind të votave del që; Partia Socialiste do të merrte në Tiranë 46.25% të votave, Partia Demokratike 32.33%, Shqipëria Behet 7.49%, Partia Mundësia 5.78% Lëvizja Bashke 3.68%, Nisma thurje 1.97%, Partia e Lirisë 1.31% dhe Partitë e Tjera 1.18%.

Me këtë renditje, sa mandate merr secila parti në Tiranë?

Partia Socialiste me 46,25 për qind të votave, pritet të marrë 17 deputetë, 12 nga listat e sigurta dhe 5 më të votuarit nga listat e hapura.

Emra si Anila Denaj, Blendi Gonxhe, Erion Brace, Ermonela Felaj, Ervin Hoxha, Etilda Gjonaj, Etjen Xhafaj, Fatmir Xhafaj, Klotilda Bushka, Mimi Kodheli, Olta Xhaçka, Pandeli Majko, Plarent Ndreca, Toni Gogu dhe Xhemal Qefalia do të garojnë në një “luftë” të hapur mes njëri-tjetrit për të siguruar një nga 5 vendet e lira në listën e hapur.

Partia Demokratike në aleancë me Partinë e Lirisë kanë 33.64 për qind, që përkthehet në 12 deputetë, duke djegur kështu të gjithë kandidatët e listës së hapur në Tiranë.

Prandaj emra si Ilir Alimehmeti, Kreshnik Çollaku, Dhurata Çupi, Asllan Dogjani, Shpëtim Idrizi, Adriana Kalaja, Ilir Meta, Myslym Murrizi dhe Jorida Tabaku do të mbeten jashtë duke mos pasur mundësi për të garuar për një mandat në listën e hapur.

Megjithatë, vlen të theksohet se në këtë ekuacion nuk është llogaritur PSD-ja e Tom Doshit, e cila mund të prish sërish balancat. Gjë që mund t’i sjellë PD-së humbjen edhe të një mandati në listën e mbyllur, duke rrezikuar të 12 në listë, Tedi Blushin e Partisë së Lirisë.

Shqipëria Bëhet në koalicion me Nisma Thurje, kanë 9.46 për qind të votave së bashku dhe mund të marrin 4 deputetë në Tiranë. Duke qenë se ky koalicion ka vendosur që të garojë vetëm me listat e hapura më të votuarit e listave të hapura priten të jenë përfituesit e mandateve nëse rezultati është i tillë më 11 Maj. Duke pasur parasysh këtë, dy figurat më të njohura të Koalicionit, Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani pritet të marrin mandat së bashku me dy të tjerët.

Partia Mundësia e cila ka 5.78% të votave mund të marrë 2 deputetë në Tiranë. Duke parë renditjen në listën e mbyllur, pritet që mandat të marrin Agron Shehaj dhe Erald Kapri.

Lëvizja Bashkë e cila ka 3,68% të votave, gjithashtu mund të marrë 2 deputetë në Tiranë. Duke parë renditjen në listën e mbyllur, pritet që mandat të marrin Redi Muçi dhe Arlind Qori.

Sjellim në vëmendje se këto llogaritje janë bërë në bazë të sondazhit të “Barometrit”, ku nuk janë përfshirë votat e diasporës të cilat mund të kenë një ndikim tepër të madh në këto zgjedhje. Në varësi të trendit të votës së Diasporës, do të lëvizin edhe mandatet në favor ose në dëm të partive të ndryshme në garë./Pamfleti

Lini një Përgjigje