Sekretari i PD-së Endri Hasa ka reaguar pas publikimit të lajmit se ai me urdhër të Bashës ka fshirë mesazhet e Gazment Bardhit nga grupi i deputetëve demokratë.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale Hasa shkruan se ky lajm është përhapur nga vetë Bardhi, teksa pranon se e ka hequr këtë të fundit si ‘admin’ i grupit të Whatssap-it.
Ky veprim sipas tij erdhi pasi Bardhi nuk është më drejtues i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, post i cili i ka kaluar Flutura Açkës. Hasa shtoi se këto janë përpjeke qesharake të Bardhit me shokë, të cilët sipas tij për interesa personale hedhin balët mbi PD.
“Sot nëpër media ka qarkulluar një lajm i rremë i prodhuar nga deputeti Gazment Bardhi. Tashmë është e njohur nga të gjithë përpjekja e tij, që për interesa personale sulmon PD-në, institucionet dhe drejtuesit e saj. Z. Bardhi nuk është hequr nga asnjë grup Whatsapp-i të administruar nga Partia Demokratike. Ai thjesht nuk është më administrator i grupit të whatsap-it, pasi tashmë ai nuk ka asnjë funksion, as në grupin parlamentar, as në PD.
Drejtimi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, në zbatim të statutit, i është deleguar znj. Flutura Açka, e cila koordinon prej ditës së enjte veprimtarinë e grupit. Këto janë përpjekje qesharake të një njeriu që për interesat e tij personale kërkon të hedhë baltë dhe të dëmtojnë PD-në.
Koha kur PD-ja merrej zvarrë për interesa personale ka marrë fund, tani secili duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e veta dhe për rrugën që ka zgjedhur. Asnjë flirt, i disa individëve me Berishën apo me Ramën, nuk do të arrijë më, të dëmtojë interesat e PD-së, demokratëve dhe shqiptarëve që presin një alternativë të re, luftën kundër korrupsionit dhe një partneritet të ngushtë me SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe BE-në”, shkruan Endri Hasa.