Policia përdori ujë dhe spraj me piper për shpërndarjen e turmës, ndërsa protestuesit u kundërpërgjigjën me vezë...
Është përshkallëzuar situata në protestën që po zhvillohet para Kuvendit.
Policia ka përdorur ujë dhe spraj me piper në përpjekje për të shpërndarë turmën, ndërsa protestuesit janë kundërpërgjigjur duke hedhur vezë, domate dhe shishe uji në drejtim të efektivëve.
Si pasojë e ndërhyrjes, disa qytetarë kanë shfaqur probleme me frymëmarrjen, ndërsa një burrë është ndier keq dhe ka pasur nevojë për ndihmë.
Një tjetër protestues është lënduar nga një gur në kokë dhe është transportuar me urgjencë drejt ambulancës për të marrë ndihmën mjekësore.
Në momentin që është nxjerrë nga turma, i riu u ka bërë thirrje protestuesve që të mos tërhiqen, duke përcjellë mesazhin: “Mos u dorëzoni!”.

Përplasjet nisën pasi demonstruesit tentuan të thyenin kordonin policor për t'u afruar drejt godinës së Kuvendit. Si pasojë, situata u përshkallëzua, ndërsa forcat e policisë ndërhynë për të penguar depërtimin e protestuesve drejt institucionit.
Në terren janë angazhuar dy autobotë uji, të cilët po përdoren për të liruar segmentet rrugore të bllokuara. Pavarësisht ndërhyrjes së mjeteve ujëhedhëse, qytetarët po bëjnë rezistencë të fortë dhe refuzojnë të largohen nga sheshi dhe bulevardet përreth, duke e mbajtur situatën tejet të tensionuar.

Situata para Kuvendit vijon të mbetet e tensionuar, me përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, ndërsa në terren janë angazhuar edhe ekipet e emergjencës.
Kujtojmë që protesta qytetare ka hyrë sot në ditën e 54-ët, dhe mbahet para Kuvendit në seancën e fundit parlamentare për këtë sesion.

Lini një Përgjigje