TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet25 Maj 2025, 13:04

U aludua për aferë seksuale me Tërmet Peçin, reagon punonjësja e Bashkisë: Sulm i ulët, nuk jam ‘kavje’

Shkruar nga Pamfleti

U aludua për aferë seksuale me Tërmet Peçin, reagon

Një histori mes një punonjëseje bashkie dhe kandidatit socialist për deputet, Termet Peçi, qarkulloi në rrjete, si një aferë seksuale. Në media u raportuan variante të shumta, madje u tha se bashkëshorti i punonjës së Bashkisë kishte kryer edhe një kallëzim penal ndaj kandidatit për deputet.

Por sot ka thyer heshtjen Elda Xhakollari, e cila është gruaja e përfolur në këtë ngjarje, duke përgënjeshtruar çdo lajm.

Në një postim në gjatë në rrjetet sociale, Xhakollari shkruan se “ky është një sulm i koordinuar, i ulët dhe i tmerrshëm – jo vetëm ndaj meje si person, por edhe ndaj familjes sime, dhe veçanërisht ndaj fëmijëve të mi të mitur, të cilët janë ekspozuar padrejtësisht ndaj kësaj dhune publike”.

“Nuk do të lejoj askënd të më përdorë si “kavje” për t’u gjykuar nëpër portale që bëjnë "lajme" me komente në Facebook dhe kafet e mëngjesit”, shprehet ajo.

Reagimi i plotë i Elda Xhakollari

Fjalët më janë ngjitur në shpirt, por tani duhet të dalin.

Prej disa ditësh, jam bërë subjekt i lajmeve të pavërteta dhe shpifjeve që kanë qarkulluar në portale dhe rrjete sociale. Një situatë e thjeshtë pune është keqinterpretuar, është nxjerrë jashtë çdo konteksti dhe është kthyer në një histori që nuk ka asnjë lidhje me realitetin tim.

Ajo që më dhemb më shumë nuk është vetëm përmbajtja e këtyre lajmeve, por dëmi emocional që kanë shkaktuar – tek unë, familja ime dhe, mbi të gjitha, tek dy fëmijët e mi të mitur. Ata nuk e kuptojnë pse përflitet nëna e tyre, pse njerëzit flasin pa ditur të vërtetën, pse dikush shpif… Por ata ndiejnë gjithçka. Dhe kjo më copëton më shumë se çdo gjë tjetër.

Nuk po kërkoj mëshirë. Po kërkoj drejtësi dhe ndjeshmëri. Po kërkoj që njerëzit të mos gjykojnë pa ditur, të mos lëndojnë pa arsye dhe të mos shpërndajnë lajme që shkatërrojnë jetë të vërteta. Asgjë nga ajo që është thënë nuk është e vërtetë. Çdo hap i nevojshëm ligjor është duke u ndërmarrë – jo për hakmarrje, por për të mbrojtur të vërtetën dhe për të thënë: MJAFT MË!

Dua të theksoj qartë: Bashkëshorti im nuk ka bërë asnjëherë deklaratat që përfliten në media. Çdo fjalë që pretendohet se është thënë prej tij është trillim. Për këtë çështje do të ndiqen të gjitha rrugët penale dhe civile ndaj autorëve të shkrimeve shpifëse dhe ndaj atyre që i kanë shpërndarë.

Ky është një sulm i koordinuar, i ulët dhe i tmerrshëm – jo vetëm ndaj meje si person, por edhe ndaj familjes sime, dhe veçanërisht ndaj fëmijëve të mi të mitur, të cilët janë ekspozuar padrejtësisht ndaj kësaj dhune publike.

Nuk do të lejoj askënd të më përdorë si “kavje” për t’u gjykuar nëpër portale që bëjnë "lajme" me komente në Facebook dhe kafet e mëngjesit.

Asnjë hap nuk do të mbetet pa u ndjekur. Dinjiteti im, puna ime dhe familja ime nuk janë për t’u prekur. Dhe çdo njeri që ka menduar të më godasë, do të përballet me forcën e ligjit.

Ky nuk është vetëm një sulm ndaj meje si individ.

Është një atentat ndaj së drejtës për privatësi, ndaj etikës, dhe mbi të gjitha, një përpjekje për të më gjykuar publikisht pa asnjë provë – në mungesë totale të së vërtetës.

Familja ime është lënduar rëndë. Dhe ky dëm nuk do të kalojë pa u trajtuar institucionalisht dhe ligjërisht. Unë nuk do të hesht. Asnjë portal, asnjë komentues, asnjë njeri që mendon se mund të përdorë lirinë e fjalës si armë shpifjeje nuk do të mbetet pa përgjigje.

Dinjiteti im nuk është në shitje. E vërteta do të dalë në dritë. Drejtësia do të vihet në vend.

Është shumë e lehtë të gjykosh dikë pa ditur të vërtetën. Është shumë e lehtë të bësh "moralistin". Është shumë e lehtë të shkruash dhe të shash pas një telefoni…

Por nuk është aspak e lehtë të përballosh diçka të tillë. Dhe unë po e bëj – për fëmijët e mi, për dinjitetin tim, dhe për çdo njeri që është gjykuar padrejtësisht në heshtje.

Ju lutem, në vend që të përhapni dhimbje, përhapni mirëkuptim. Përhapni kujdes.

Shpifja nuk është lajm. Shpifja është dhunë!

Unë jam më shumë se një titull portali.

Jam një nënë. Një bijë. Një njeri.

E them me zë të plotë: Gjithçka që është publikuar për mua është e pavërtetë. Një shpifje. Një padrejtësi.

Faleminderit nga zemra të gjithë atyre që më kanë qëndruar pranë me fjalë mbështetjeje dhe dashamirësie. Kjo ka shumë më tepër vlerë sesa mund të përshkruaj.

Ndërsa për ata që u gëzuan nga dhimbja e një gruaje, e një nëne, e një bije, kam vetëm një fjalë:
“Do të vijë dita që do t’ju vijë turp nga vetja.”

Unë nuk jam si ju. Edhe pse më vratë, nuk mund të më bëni dot si vetja.

U aludua për aferë seksuale me Tërmet Peçin, reagon

 

Lini një Përgjigje