Ju ftojmë të ndiqni një bllok lajmesh me zhvillimet kryesore nga kronika e zezë, ku ndër të tjera veçojme:
Sot, Gjykata e Lartë shqyrton rekursin e ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministrës së Infrastrukturës, Belinda Balluku, për masën “ndalim i daljes jashtë shtetit”. Vendimi i gjyqtarit Ilir Panda përcakton nëse Ballukut do t’i rikthehet pasaporta, e cila i është bllokuar që prej 19 nëntorit të vitit të kaluar, kur u komunikua edhe akuza për shkelje të barazisë në tenderë.
Në të njëjtën seancë do të shqyrtohet ankimi i ish-kreut të KESH, Erald Elezi, ndërsa ish-kreu i ARRSH-së, Gentian Gjyli, nuk ka ankimuar masën e sigurisë. Ky proces lidhet gjithashtu me nismën e nisur nga kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, për rishikimin e praktikave të masave të sigurimit personal, veçanërisht “arrestit në burg”, pas çështjes së Bektash Zenelit. Ky shqyrtim mund të ndryshojë mënyrën se si gjykatat arsyetojnë kufizimin e lirisë dhe përdorimin e masave alternative.
Në ngjarje kriminale, Aleks Ndreka, i njohur si “Leksi i druve”, u ekstradua nga Italia në kuadër të operacionit “Metamorfoza”, ku ishte shpallur në kërkim për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe për sigurimin e kushteve për kryerjen e vrasjeve. Bashkëshortja e Fatos Gosës dëshmoi për dosjen “Plumbi i Artë”, duke pohuar se Fatos Gosa nuk kishte lidhje me vrasjen e Andi Zylyfit.
Enri Hardolli, 28-vjeç, u arrestua në Barcelonë pas një hetimi të nisur nga Antimafia e Triestes dhe Guardia di Finanza e Venecias, për trafik 4 tonë kokainë. Një 25-vjeçar u kap në Tiranë duke shitur armë në aksin Pezë Helmes–Ndroq, ndërsa bashkëpunëtori i tij 19-vjeçar vazhdon të jetë në kërkim. Një 52-vjeçar në Poliçan u arrestua duke shitur drogë, megjithëse ishte me masë sigurie “arrest në shtëpi”, dhe u sekuestruan kokainë, Cannabis Sativa, mjete prerëse dhe fishekë luftarakë.
Në Greqi, autoritetet konfiskuan mbi 26 kg kokainë dhe 360 kg kanabis, ndërsa arrestuan dy shtetas grekë dhe një shqiptar, vlera e drogës në treg arrinte rreth 2.5 milionë euro. Në Itali, tre vëllezër shqiptarë përballen me akuzën për dhunë ndaj pronarit të një lokali, me kërkesë dëmshpërblimi prej 70 mijë euro.
Ngjarje tragjike: Altin Çoku u dënua me 6 vite burg për shkaktim të vetëvrasjes së Sibelës Abedini, e cila u hodh nga tarraca, ndërsa tezja e viktimës pretendon se Çoku e shtyu dhe se kishte marrëdhënie me nënën e Sibelës.
Ndërkaq, një aksident i rëndë ndodhi në Vlorë në zonën e Kuçit, ku u përplasën disa makina dhe disa persona mbetën të plagosur. Një 35-vjeçar nga Shkupi, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik lëndësh narkotike, u arrestua në Morinë dhe pritet ekstradimi në vendin e origjinës.
Lini një Përgjigje