Ju ftojmë të ndiqni një bllok lajmesh me zhvillimet kryesore nga kronika e zezë, ku ndër të tjera veçojmë:
Prokuroria ka zgjatur me tre muaj hetimet për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, ndërsa avokati i autorit të dyshuar ka kundërshtuar propozimin për shpalljen e tij "Dëshmor i Atdheut".
Në Durrës, tre zyrtare të Postës Shqiptare janë arrestuar për përvetësimin e dyshuar të 69 milionë lekëve të rinj, fonde të destinuara për pensione dhe ndihma sociale në Shijak e Krujë.
Apeli la në fuqi masën "arrest në burg" për regjisorin Petri Bozo, nën hetim për aksidentin ku humbi jetën një 7-vjeçar në Elbasan.
Në Shkodër, një konflikt në poliklinikë përfundoi me plagosjen me thikë të një 32-vjeçari, ndërsa vëllai i tij u arrestua pasi u nis me armë për hakmarrje.
Policia goditi edhe raste të trafikut të armëve në Sarandë e Shkodër, duke arrestuar dy persona dhe sekuestruar disa armë zjarri.
Ndërkohë, vijojnë hetimet për vdekjen e një 40-vjeçareje në Liqenin e Thatë dhe të një paraburgosuri në Vlorë.
Në Itali, dosja e atentatit ndaj gazetarit Ranucci nuk përmban prova për përfshirjen e një shqiptari, ndërsa në Greqi EPPO akuzoi 22 persona për abuzim me fondet e BE-së.
Lini një Përgjigje