Aktualitet 8 Shtator 2023, 09:55

Vijon 'ping pongu' për 'Gërdecin', sot gjyqi i radhës ndaj ish-ministrit Mediu

Shkruar nga Pamfleti
Vijon 'ping pongu' për 'Gërdecin', sot gjyqi i
Ish-ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu

Sot do të mbahet seanca gjyqësore për ish-ministrin e Mjedisit, Fatmir Mediu sa i takon çështjes ‘Gërdeci’. Mësohet se seanca do të nisë në orën 10:00.

Kujtojmë se në seancën e fundit avokatët e ish-ministrit kërkuan heqjen dorë nga gjykimi i shkurtuar, por gjykata u shpreh se këtë kërkesë ka të drejtë ta bëjë vetëm i pandehuri.

Rihapja e hetimeve ndaj Mediut nisi pas kërkesës së familjes Durda, të cilët humbën djalin 6 vjeç në këtë tragjedi.

Nga analizimi i pretendimeve në kërkesën për rihapjen e hetimeve, rezulton se ekzistojnë të gjitha shkaqet ligjore për revokimin e vendimit të pushimit të çështjes penale ndaj Mediut dhe të rihapen hetimet ndaj tij për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.

Më parë Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi pranimin e familjarëve të viktimave të Gërdecit si palë në procesin kundër ish ministrit Fatmir Mediu.

26 persona humbën jetën dhe 300 të tjerë u plagosën nga shpërthimi i një baze ushtarake më 15 mars të vitit 2008.

Akuzat për Mediun:

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e akuzon Mediun për “shpërdorim detyre” dhe “për shpërdorim detyre në bashkëpunim me kuadër komandues ushtarak” lidhur me dosjen e shpërthimit në Gërdec.

Dy prokurorët që do të jepnin pretencën janë Altin Dumani dhe Arben Kraja, njëri kreu i SPAK, tjetri paraardhësi i tij.

Kujtojmë se Mediu ka kërkuar gjykim të shkurtuar, por SPAK ende nuk e ka shpallur pretencën për të akuzuarin. Nga ana tjetër avokatët e ish-ministrit Fatmir Mediu kanë kërkuar që çështja të pushohet për efekt parashikimi, kjo pasi sipas tyre klienti nuk ka asnjë faj për mosveprimin shtetëror ndër vite.

fatmir mediu gerdeci seance