
Prej 3 orësh vijon në Gjykatën e Posaçme seanca ndaj ish-kryetarit të bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.
Seanca ka nisur në orën 12.00 dhe vijon ende me dyer të mbyllura.
Përmes avokatit të tij Dako ka kërkuar pushimin e çështjes ose gjykim të shkurtuar.
Mësohet se Dako ka hedhur poshtë akuzat e ngritura ndaj tij duke thënë edhe se projektet janë lehtësisht të verifikueshme.
“Leja për pallatin ishte vendim kolegjial. Ndërsa për tenderin e vijës bregdetare projekti është i verifikueshëm, dhe akuzat e SPAK nuk qendrojnë”, është shprehur Dako në seancë.
Akuzat e ngritura ndaj Dakos dhe të arrestuarve të tjerë janë për shpërdorim detyre dhe falsifikim të vulave e formularëve, në dy raste: në procedurën e dhënies së lejes së ndërtimit të një pallati shumëkatësh dhe shpërdorim të fondeve publike në procedurën e prokurimit për ndërtimin e një shëtitoreje në bregdet.
Në seancën e sotme do të vendoset nëse çështja duhet të vazhdohet të hetohet apo do të kalojë për gjykim.
Ndërkohë seanca po vijon me deklarimet e të akuzuarve të tjerë.
Lini një Përgjigje