TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet22 Qershor 2026, 21:26

PS prek fundin, Balla akuzon Dritan Goxhajn si agjent të Iranit; kërkesat e reja të protestuesve alarmojnë Rilindjen

Shkruar nga Pamfleti
PS prek fundin, Balla akuzon Dritan Goxhajn si agjent të Iranit;
Dritan Goxhaj në protestë

Protesta e 23-të qytetare duket se ka prekur një pikë të ndjeshme në kampin qeveritar. Pas prezantimit të kërkesave të protestuesve, ku spikasin dorëheqja e qeverisë, krijimi i një qeverie teknike dhe kufizimi i mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate gjatë gjithë jetës, reagimi i parë i Partisë Socialiste nuk erdhi ndaj përmbajtjes së tyre.

Në shënjestër përfundoi Dritan Goxhaj, ish-ushtarak dhe ish-luftëtar i UÇK-së, i cili lexoi deklaratën me kërkesat e protestuesve para Kryeministrisë.

Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, e sulmoi ashpër Goxhajn në një reagim në rrjetet sociale.

Sot skenari u zbardh plotësisht! Deklaratën me kërkesa në emër të protestuesve e mbajti ‘zëdhënësi’ i Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri. Personi quhet Dritan Goxhaj, i cili në media dhe rrjete sociale ka dalë prej kohësh në mbrojtje të regjimit terrorist iranian, duke sulmuar SHBA, Izraelin por edhe Shqipërinë. E paimagjinueshme se si një ish-pjesëmarrës në UÇK sot bën avokatin e regjimit terrorist të Iranit kundër aleatit tonë SHBA, pa të cilët Kosova nuk do të ishte çliruar kurrë”, shkroi Balla.

Më tej, ai vijoi me një tjetër sulm ndaj pjesëmarrësve në protestë.

Tani ‘patriotët’ edhe ditëzinjtë ta gëzojnë vulën e turpit! Avash avash, të gjitha po dalin! Dhe flamingot do habiten me veten e tyre si ranë me kokë mes korbave e sorrave të shqiptarisë së rreme”, shtoi ai.

Ajo që bie në sy është se reagimi i socialistëve nuk adreson asnjë nga kërkesat e protestuesve. Nuk ka asnjë koment për qeverinë teknike, për referendumin, për ndryshimet kushtetuese apo për kufizimin e mandateve, një propozim që do të nxirrte automatikisht jashtë loje jo vetëm Edi Ramën, por edhe Sali Berishën.

Në vend të debatit për kërkesat që po artikulohen prej 23 ditësh në rrugët e Tiranës, Partia Socialiste ka zgjedhur të sulmojë njeriun që i lexoi ato. Dhe ironia është se objektivi i sulmit nuk është një drejtues partie apo një eksponent i opozitës, por një ish-luftëtar i UÇK-së, një kategori që politika shqiptare e ka përdorur prej vitesh si simbol patriotizmi dhe sakrifice kombëtare.

goxhaj balla

1 Komente

  1. R
    Roja

    Akoma vazhdon Taulant te analizosh protestat? Shikoni punet , reflektoni per hajdutlleqet qe jane bere gjate qeverisjes suaj. Mos acaroni pretestuesit !

    Lini një Përgjigje