
Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço ka dhënë detaje të reja në lidhje me vrasjen në Kavajë ku Habib Rexha ekzekutoi me plumb në kokë Arjan Gosën për hakmarrje. Autori u vetëdorëzuar në polici, duke pranuar autorësinë pak ditë pas krimit.
I ftuar në një emision televiziv, Karamuço theksoi se atentati ka qenë i përgatitur, ndërsa tregoi dhe metodat që ka përdorur Rexha në vrasjen e Gosës. Sipas Karamuços, ai ka përdorur qese, që gëzhojat të mos mbesin në vendin e krimit dhe për pasojë të “zhdukte” çdo provë të mundshme. Gjithashtu eksperti tregoi detaje se pse autori ka qëlluar me dorën e majtë.
“Ka qëlluar më të majtën, sepse të djathtën e ka pasur të dëmtuar, nga taktikat që kemi bërë në balistikë efketshmëria, duhet të kesh këto tre gishta nuk qëllon dot sepse s’ke shënjestër. Hakmarrje e pastër. Është bërë një plan i mirë përgatitur duke hequr një paralele siç e vrave ti vëllain tim në sy të fëmijës unë të vras në sy të babait. Ka përdorur qese, se kjo praktikë na vjen nga një vrarës me pagesë që kemi pasur në zonën e Vlorës. Qesja do të thotë se gëzhojat i lë brenda në qese dhe faktorët plotësues të armës ngelen po aty. Edhe po të bëjnë një ekspertizë nëse kë qëlluar më këtë armë, në rrobat e tua nuk gjendet asgjë. Ashtu e ka bërë”, tha Karamuço për Zonë e Lirë.
Kujtojmë se Habib Rexha është vëllai i Altin Rexhës, i cili mbeti i vrarë dy muaj më parë në Kavajë. Altin Rexha u përfshi në një konflikt me Edmond Gosën në muajin mars, vëllain e Arjan Gosës, dhe pas debatit me fjalë ata vranë njëri-tjetrin.