TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet10 Tetor 2025, 17:13

Vrasja e shqiptarit dhe grekut, ku janë përqëndruar hetimet; si e parandjehu vdekjen pronari i kampingut

Shkruar nga Pamfleti

Vrasja e shqiptarit dhe grekut, ku janë përqëndruar hetimet; si e

Një 68-vjeçar grek, pronar i një kampingu në Finikounda, dhe kujdestari shqiptar i biznesnit, rreth 60 vjeç, u vranë mbrëmjen e 5 tetorit në një atentat të mirëorganizuar nga të paktën dy persona, që ende nuk janë identifikuar nga policia greke.

Krimi ndodhi 3 ditë pasi pronari grek i kampingut kishte firmosur një testament, që ndante pasurinë e tij.

Dokumenti, i cili fillon me frazën "po shkruaj testamentin tim në rast vdekjeje të papritur", tregon një parandjenjë që kishte 68-vjeçari, ose frikën për jetën e tij, raportojnë mediat greke.

Sipas përmbajtjes së testamentit, pjesa më e madhe e pasurisë i kalon nipit të 68-vjeçarit, të cilin ai e konsideronte "si fëmijën e tij". Ky i ri ishte dëshmitar i vrasjes së dyfishtë, pasi ishte në vendngjarje në kohën e sulmit dhe arriti të arratisej.

Gjithashtu 68-vjeçari i kishte lënë një pjesë të konsiderueshme të pasurisë së tij kujdestarit të kampingut dhe mikut të ngushtë, shtetasit shqiptar, i cili u vra bashkë me të. Ai i kishte dhënë gjysmën e fushës që zotëronte bashkërisht me nipin e tij, si dhe shuma parash të depozituara në bankat në Pylos.

Përveç kësaj, ai parashikoi që 100000 euro t'i jepeshin motrës së tij dhe 100000 euro të tjera djalit të saj.

Në rast se nipi i tij vendoste ta shiste pronën, miku i tij shqiptar do të merrte 200,000 euro shtesë.

Autoritetet kanë në zotërim edhe një testament më të vjetër të 68-vjeçarit, të hartuar rreth një vit më parë. Krahasimi i dy dokumenteve konsiderohet thelbësor, pasi mund të hedhë dritë mbi motivet e vrasësit të dyfishtë.

Natën e së dielës, autori i krimit hyri me forcë në zonën e pritjes së kampingut, ku ndodheshin pronari, kujdestari 60-vjeçar dhe nipi i tij. Ai e qëlloi me gjakftohtësi 68-vjeçarin, duke e vrarë menjëherë, dhe më pas vrau kujdestarin i cili u përpoq të arratisej.

Nipi i viktimës ishte i vetmi që arriti të mbijetonte dhe konsiderohet dëshmitar kyç në këtë çështje.

Policia po shqyrton çdo provë që mund të çojë në identifikimin e autorit. Një punonjës i pikës së karburantit në zonë dha gjithashtu një deklaratë, duke u shprehur se pa një burrë të dyshimtë duke kaluar me motoçikletë drejt Kyparissias dhe ndoshta duke u drejtuar drejt Zacharo.

Sipas përshkrimit të tij, i dyshuari ishte me lëkurë të errët, i shkurtër dhe i dobët, mbante një helmetë dhe lëvizte me shpejtësi drejt Ilias. Në të kundërt, nipi i 68-vjeçarit dha një përshkrim të ndryshëm, duke thënë se autori i krimit ishte me lëkurë të çelët, bjond dhe ndoshta i ri.

Hetimet po vazhdojnë me qëllim sqarimin e shkaqeve dhe identifikimin e të dyshuarit kryesor.

Lini një Përgjigje