Aktualitet19 Shtator 2023, 16:32

Zbardhet lista e plotë/ SHBA 449 persona “non grata” nga e gjithë bota, Llalla dhe Doshi në krye të emrave më të korruptuar

Shkruar nga Pamfleti

Zbardhet lista e plotë/ SHBA 449 persona “non grata” nga e

Skandali është se Berisha, Llalla, Dako apo Doshi janë mes emrave më të korruptuar në të gjithë botën...

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shpallur të padëshiruar plot 449 persona nga e gjithë bota. DASH ka publikuar së fundmi listën e të sanksionuarve, listë e cila udhëhiqet nga dy emra të njohur shqiptarë, Adriatik Llalla dhe Tom Doshi.

Ish-kryeprokurori Llalla është personi i parë i shpallur i padëshiruar nga SHBA në kuadër të ligjit 7031 C. Ai u shpall i padëshiruar në vitin 2018 bashkë me gruan dhe fëmijët për shkak se akuzohet se është përfshirë në korrupsion madhor. Llalla u dënua me dy vite burg nga gjykata e posaçme, por ai është arratisur.

Emri i dytë që prin listën është kreu i PSD, Tom Doshi. Edhe ai u shpall “non grata” në vitin 2018 për korrupsion masiv. Doshi më pas u largua nga Parlamentit dhe drejton në hije partinë e tij.

Lista vijon me emra si Nikola Spiric, deputet në Bosnje dhe Hercegovinë; Jahja Jammeh, President i Gambisë; Roberto Jose Rivas Reyes, Kryetar i Parlamentit në Nikaragua; Blanca Aida Stalling Davila, ish-gjyqtare e lartë e Guatemalës; 16 zyrtarë të lartë sauditë të përfshirë drejtpërdrejt në vrasjen e Jamal Khashoggi; Kryeministri i Çeçenisë, Muslim Magomedovich Kchuchiev, etj.

Zbardhet lista e plotë/ SHBA 449 persona “non grata” nga e
Lista e "non gratave"

Më pas kemi emra si Vangjush Dako, ish-kryebashkiaku i Durrësit dhe Sali Berisha-ish-kryeministër.

Ajo që bie në sy është se Berisha dhe 3 të tjerët janë në një listë me Raul Kastron, diktatorin e Kubës. Po ashtu krah tyre janë një sërë ish-gjeneralësh në shtete afrikane dhe jo vetëm të akuzuar për krime ndaj njerëzimit. Po ashtu në listë është një ish-president i Nikaraguas i dënuar me 20 vite burg për korrupsion. Në listë është dhe një politikan meksikan i lidhur me trafikun e drogës. Pjesa dërrmuese e të shpallurve të padëshiruar janë pikërisht nga këto shtete, ndërkohë shumë pak janë nga Rusia, Bosnja, apo Serbia dhe Shqipëria.

Lista është plotësuar me të dhënat më të fundit dhe bie në sy se për vendin tonë deri më tani janë vetëm këta 4 emra. Flitet se ka dhe shumë të tjerë të sanksionuar javët e fundit, por DASH akoma nuk ka bërë asnjë njoftim. Ndërkohë të njëjtën gjë ka bërë dhe Britania, pasi ka shpallur të padëshiruar shumë individë.

Skandali është se Berisha, Llalla, Dako apo Doshi janë mes emrave më të korruptuar në të gjithë botën. Bëhet fjalë për diktatorë dhe njerëz që kanë varë e prerë në vendet e Afrikës. Elementi tjetër interesant është se sado Sali Berisha u mundua të dilte nga kjo listë nuk ja doli dot. Ai do jetë mes 450 të damkosurve përgjithmonë. /Pamfleti

shba non grata

Dokumenta bashkëngjitur