TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet11 Dhjetor 2025, 09:07

Zgjedhja për kreun e ri të SPAK, Xholi para KLP: Ka ardhur koha për hetime cilësore

Shkruar nga Pamfleti

Zgjedhja për kreun e ri të SPAK, Xholi para KLP: Ka ardhur koha

Adnan Xholi ishte i pari mes 4 kandidatëve në garën për kreun e SPAK që u paraqit para anëtarëve të KLP-së, duke bërë fillimisht një panoramë të eksperiencës së punës së tij.

Lufta pa kompromis ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, është cilësuar si një nga prioritetet kryesore nga Xholi, ndërsa shtoi se edhe mbrojtja e prokurorëve dhe institucionit gjithashtu është shumë e rëndësishme.

“Privilegj që të aplikoja në këtë pozicion. Plotësoj të gjitha kriteret e përcaktuara. Kemi arritur suksese në mënyrë të padiskutueshme, por ka ardhur koha për hetime cilësore, që do të çojnë në identifikimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të krimit”, tha Xholi, i cili e cilësoi SPAK si ‘familjen e dytë’, duke sqaruar se më shumë kohë kalon me kolegët e tij Prokurorë se sa me familjen biologjike.

Kandidati për kreun e SPAK kërkoi një vëmendje maksimale nga të gjitha institucionet në luftën ndaj krimit të organizuar, ndërsa theksoi se duhen hetime të shpejta dhe paraqitjen e provave të pakundërshtueshme në Gjykatë.

“SPAK ndodhet në një periudhë të rëndësishme konsolidimi ku implementimi i strategjive të institucionin lidhet drejtëpërdrejtë me luftën pa kompromis të korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe krimit të organizuar.

Vlerësoj të gjithë kandidatët dhe pavarësisht rezultatit të sotëm, do t’i mbëhstes në punën e tyre.

Punën e kemi me njëri tjetrin dhe ata janë familja ime në systemin e drejtsisë. Më shumë kaloj kohë me ta se sa me familjen biologjike”, u shpreh ai.

Me një eksperiencë prej 27 vitesh në organin e prokurorisë, Xholi tha se e ka nisur nga roli bazë në funksionet më të larta drejtuese në sistemin e Prokurorisë shqiptare.

“Kam udhëhequr disa hetime në një gamë të gjerë, qoftë ndaj korrupsionit ashtu edhe ndaj krimit të vorganizuar”, tha Xholi.

Ai tha se është drejtues i 5 skuadrave të përbashkëta hetimore me vende të Bashkimit Europian dhe Mbretërinë e Bashkuar.

“Kam hetuar çështje që lidhen me trafikun ndërkombëtar të drogës, jam përballur me subjekte me rrezikshmëri të lartë, ndërsa hetimet kanë çuar në sekuestrimin dhe më pas konfiskimin e aseteve të grupeve kriminale”, tha Xholi.

Ai tha se suksesi i çdo prokurori matet në Gjykatë dhe jo nga numri i personave që arreston apo procedimet që nis.

Në garë janë katër kandidatë: Klodian Braho, Doloreza Musabelliu, Adnan Xholi dhe Elvin Gokaj. Ashtu siç ishte planifikuar, në orën 09.00 nisi seanca dëgjimore me secilin prej tyre. Sipas KLP-së, intervistat do të zhvillohen në rend alfabetik, dhe secili kandidat do të intervistohet për 45 minuta.

Në seancën dëgjimore janë të papranishëm përfaqësuesja amerikane, Van Horn dhe ambasadori i BE, Silvio Gonzato.

Pas seancave pritet të bëhet votimi, ku fitues do të shpallet kandidati që merr më shumë vota. Gara për drejtimin e SPAK ka ngjallur interes të lartë, për shkak të peshës së këtij institucioni në hetimin e korrupsionit në nivele të larta dhe dosjeve sensitive që ka në dorë.

“Në prag të zgjedhjes së nesërme të kreut të ri të SPAK, ku Ambasadori Gonzato do të jetë i pranishëm së bashku me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së, ai shprehu besimin se anëtarët e KLP-së do të tregojnë nivelin më të lartë të përgjegjshmërisë dhe do të sigurojnë që Prokuroria e Posaçme të drejtohet nga një person me integritet të padiskutueshëm, i pavarur, profesionist dhe i përkushtuar ndaj standardeve më të mira të BE-së”, njoftoi ambasada e BE.

xholi klp kreu i spak

Lini një Përgjigje