TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia25 Shtator 2025, 13:31

Armando Sporeja, nga dosjet gjermane për trafik droge tek vila luksoze në Mjull Bathore, i mbrojtur nga strukturat që duhej ta hetonin

Shkruar nga Pamfleti

Nga dosjet gjermane për trafik droge te kompanitë e makinave elektrike në Shqipëri, investigimi tregon se vila luksoze e familjes Sporeja sfidon çdo logjikë financiare. 

Armando Sporeja, nga dosjet gjermane për trafik droge tek vila luksoze

Dosjet hetimore të arkivuara në Shqipëri dhe Gjermani e kanë përshkruar Armando (Juri) Sporeja, si një figurë kyçe të trafikut ndërkombëtar të drogës. Hetimet gjermane e identifikuan si koordinator në shpërndarjen e kokainës dhe heroinës në Gjermani, Austri dhe Hungari, ndërsa në Shqipëri ai u arrestua në Aeroportin e Rinasit në vitin 2017 me kërkesë të autoriteteve gjermane. Pas këtij episodi, gjykatat shqiptare e liruan dhe ai u rikthye për të ngritur një rrjet kompanish që zyrtarisht operojnë në tregtinë e makinave elektrike.

Një vendim i Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e ka konfirmuar dënimin e tij për trafik narkotikësh në kuadër të një organizate kriminale, në bazë të nenit 283/a/2 të Kodit Penal.

Ky ishte edhe boshti i shkrimit të parë të Pamfletit, ku u dokumentuan shifrat kontradiktore të kompanive AUTO FUSION dhe FLUX SERVICE, mungesa e aktiveve dhe kapitalit në bilancet financiare dhe mospërputhja flagrante mes të ardhurave të deklaruara dhe investimeve që shfaqen publikisht.

Në këtë kuadër del në skenë një pasuri e re që e vë sërish në qendër të pyetjeve burimin e fondeve të familjes Sporeja. Bëhet fjalë për të ashtuquajturën Vila Sporeja, e ndodhur në zonën elitare Acaccia Hills në Mjull Bathore. Objekti është i përmasave të mëdha dhe i ndërtuar me standarde që sfidojnë edhe oligarkët më të mëdhenj të kryeqytetit. Pamjet e publikuara nga vetë studioja e ndërtimit dhe të shpërndara në rrjete tregojnë një investim marramendës, që nuk mund të justifikohet me xhiron vjetore prej rreth gjysmë milioni eurosh të deklaruar në QKB nga kompanitë e Armando Spore. Pyetja që lind është e thjeshtë: me çfarë parash u ndërtua kjo vilë?

Nga dokumentet e depozituara në QKB rezulton se AUTO FUSION sh.p.k., e themeluar në vitin 2016, ka raportuar të ardhura neto nga shitjet për vitin 2024 në vlerën 53.187.570 lekë dhe fitim neto prej 15.187.761 lekësh. Këto shifra nuk mund të mbulojnë koston e një vile të tillë, e aq më pak investimet e tjera të paralajmëruara në sallone makinash dhe infrastrukturë komerciale. FLUX SERVICE sh.p.k., e regjistruar në gusht 2025 me kapital themeltar 15 milionë lekë, përfshin si ortakë Ferdinand dhe Aleksandër Sporejan, të dy familjarë të Armando Spores, me të kaluar penale dhe rol mbulues formal në aktivitetin tregtar. Bilancet e këtyre subjekteve, të ndërtuara mbi kapitale minimale dhe të përshkruara nga ekspertë si tipike për skemat e pastrimit të parave, nuk japin asnjë shpjegim për burimin e fondeve që kanë financuar vilën e Acaccia Hills.

Burime nga strukturat e hetimit kanë pohuar për Pamfletin se ekziston dyshimi se automjetet e importuara nga kompanitë e Sporeja përdoren edhe për transportin e parave cash të ardhura nga trafiku i drogës. Kjo skemë e dyfishtë, ku makina shfaqet si produkt tregtar ndërsa shërben si mjet transporti për valutë, përforcon idenë se vilat dhe investimet e shfaqura publikisht nuk janë gjë tjetër veçse produkte të një modeli pastrimi financiar.

Një tjetër element i rëndësishëm lidhet me ndikimin në strukturat e shtetit. Një burim i besueshëm ka deklaruar për Pamfletin se Armando Sporeja ka futur në xhep disa struktura kyçe, përfshirë drejtues të institucioneve fiskale.

Nëse vilat dhe kompanitë e familjes Sporeja vazhdojnë të qëndrojnë të paprekura nga hetimi penal, kjo ndodh për një arsye të vetme: mungesa e vullnetit institucional. SPAK dhe Krimi Ekonomik kanë informacion të mjaftueshëm për të hapur procedime mbi burimin e pasurisë së paluajtshme në Acaccia Hills dhe mbi pasqyrat financiare të kompanive që deklarojnë shifra të pamjaftueshme për të justifikuar investime të tilla. Megjithatë, deri më tani nuk ka një veprim konkret nga këto struktura.

Vila Sporeja është vetëm një nga provat e dukshme e kontradiktës mes realitetit financiar dhe pasurisë së ekspozuar, dhe si e tillë, ajo mbetet një pikë kyçe për të kuptuar jo vetëm aktivitetin e Armando Spore, por edhe kapjen e strukturave shtetërore që duhet ta kishin hetuar prej kohësh.

armando sporeja juri spore

Lini një Përgjigje