Më 5 tetor “Pamfleti” e paralajmëroi këtë skenar të Edi Ramës dhe mafies së ndërtimit, të maskuar pas vendimit për gjoja verifikimin teknik të banesave, pallateve e godinave shtetërore të ndërtuara para 50 vitesh...
Pas vendimit për verifikimin e sigurisë teknike të pallateve e godinave shtetërore me moshë 50-vjeçare, qëndron biznesi i kullave që do ndërtohen në qendër të Tiranës, brenda Unazës së Vogël dhe në aksin e Tiranës së Re; nga Qyteti i Nxënësve e deri te Ministria e Shëndetsisë.
Nëpërmjet tellallëve të tij, kryministri po mundohet të krijojë bindje se nuk do ketë prishje masive, por vetëm ato pallate e godina shtetërore, që Instituti i Ndërtimit do t’i vlerësojë me rrezik në rast tërmeti.
Në fakt, Bablokut nuk i “digjet barku” për sigurinë e qytetarëve, por do shembë ndërtesat në zonat qendrore preferenciale të Tiranës, Durrësit, Vlorës, Sarandës, Kavajës, Pogradecit e Shkodrës, që oligarkët i kanë “vënë syrin” për ndërtim kullash, hotelesh e qendrash tregtare.
Ditën e martë, Drejtori i Institutit të Ndërtimit, Artan Shkreli, miku i ngushtë i Edi Ramës, dha sinjalin se në maskën e vendimit për sigurinë teknike 50-vjeçare, rruspat e mafies Qeveri-Oligarkë do rrafshojnë edhe objekte publike në qendër të Tiranës.
Drejtori Artan Shkreli, tha se do verifikohet siguria e godinave të Kryeministrisë, Pallatit të Kulturës, Akademisë së Arteve, Galerisë së Arteve e objekteve të tjera shtetërore me frekuentim publik në zonat qendrore të Tiranës.
Sipas kësaj logjike, nëse Artan Shkreli i vë “kryqin e kuq” të rrezikut, mund të rrafshohet krejt Korpusi i Universitetit të Tiranës me gjithë pjacën e kolonave, Teatri i Kukullave, Muzeu Kombëtar, ish-hotel Dajti, Selia e PD, ndërtesa e Fakultetit Gjeologji-Miniera, Fakulteti Juridik, shkolla “11 Janari”, godina e zyrave të Aviacionit Civil, madje edhe Bashkia, ministritë e objekte në zona preferenciale.
Pas lejes për kullën “Tirana Multifuncional Center” te ish-gropa e Ajdin Sejdisë; më 5 tetor 2022 “Pamfleti” paralajmëroi këtë skenar biznesi kullash të Edi Ramës e oligarkëve, me shkrimin: “Tajfuni i kullave po i afrohet Pallatit të Kulturës, Sheshit Skënderbej, Teatrit të Kukullave e Muzeut Kombëtar”.
Sot pas 5 muajsh u vërtetua, që me vendimin e qeverisë për të shembur godinat, ndërkohë që prej 1 viti, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Bashkia e Tiranës, kanë bërë të ditur transferimin e Bibliotekës Kombëtare dhe Teatrit të Kukullave, te kullat në zonën e Gardës./Pamfleti