
Vendimi është marrë 2 muaj e gjysmë para zgjedhjeve lokale, me efekt pagese janar-qershor 2023; duke u hequr bukën jetimëve, në vend që t’u hiqeshin miliona lekë dieta, hotele e karburant deputetëve, ministrave dhe fondet për Charter-in e Bablokut
Qeveria ka miratuar një vendim elektoral, për të marrë votat e 900 familjeve të ish-naftëtarëve të Ballshit, të cilëve u mbylli uzinën në pazar me mafien azere dhe më pas e shiti për skrap.
Me Vendim nr. 117, datë 1 mars 2023, të sajuar nga Edi Rama, gjoja të propozuar nga Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj dhe firmosur nga Zv/kryeministrja Belinda Balluku, ish-naftëtarëve të Ballshit i kanë zgjatur pagesën e papunësisë edhe për 6 muajt janar-qershor 2023.
Sipas informacionit nga Ministria e Financave, për të mundësuar këto pagesa, mes të tjerash, qeveria ka hequr 1 miliardë e 420 milionë lekë, nga fondi i ushqimit e trajtimit të jetimëve që jetojnë në shtëpitë e fëmijëve, që me plot gojën mund të quhet “mëkat e krim social”.
Por për kryeministrin Edi Rama, më shumë vlerë e rëndësi kanë votat e pushtetit, se kushtet jetesës dhe ushqimit të kësaj kategorie fëmijësh të braktisur; mbasi e di që fëmijët jetimë në rezidencat sociale, nuk kanë as votë e as familje që të japin vota.
Nuk themi që ish-naftëtarët të mos trajtohen financiarisht, por qeveria të mos u heq bukën fëmijëve jetimë e t’ua japë të rriturve për vota, sepse ka burime të tjera financiare, madje miliarda lekë që kryeministri lejon të vidhen me evazion nga ministrat, drejtorët e oligarkët.
Këtë akt anti-human, kryeministri Edi Rama e ka bërë edhe në shkelje të ligjit, mbasi pagesa sociale e papunësisë për ish naftëtarët ka qenë me afat 1 vit dhe kjo u është dhënë me Vendim Qeverie nr. 909, datë 18.11.2020, në vlerën 40 mijë lekë secilit deri më 11 tetor 2021.
Edhe atëherë, u bë si pagesë elektorale para zgjedhjeve parlamentare të datës 25 prill 2021, madje 2 muaj e gjysmë para atyre zgjedhjeve, me vendimi shtesë Nr. 155, datë 3.3.2021, u shtuan në listë 43 militantë me vlerë pagese totale 172 milionë lekë në muaj.
Ndërsa tani, me vendimin 1 marsit, zgjatën afatin e pagesës sociale me 6 muaj e efekt paraprak, nga 1 janari deri më 30 qershori 2023, brenda të cilit është fushata dhe data e zgjedhjeve lokale.
Por, duke u hequr bukën jetimëve, në vend që të hiqeshin pagesa dietash, hotelesh qira banesash e karburanti deputetëve e ministrave dhe fondet qeveritare për Charter-in e Bablokut./Pamfleti