
Policët presin të marrin orët shtesë duke dëgjuar premtimet e kryeministrit, ministrit e drejtorit, ndërsa shqiptarët shpresojnë se policia do luftojë krimin ekonomiko-financiar, kur këtë krim e ka në kupolën e saj
Është një tender “gropë e zezë” korrupsioni, me objekt “Marrje makina me qira” për policinë shtetit, i cili vazhdon përsëritet qysh nga koha e Ardi Veliut, më pas nga Gledis Nano e tani nga drejtori Muhamet Rrumbullaku, me vlerë nga 2 milionë Euro deri në 5 milionë Euro.
Për herë të gjashtë, këtë tender e përsëriti drejtori Muhamet Rrumbullaku, me shpallje më datë 14 tetor 2022 e zhvillim më datë 17 nëntor, për marrjen e 67 makinave me qira, kundrejt vlerës 2.4 milionë Euro me TVSH.
Këto makina janë marrë me qira në përdorim për 4 vite, kundrejt pagesës 35 mijë Euro secila, vlerë me të cilën mund të blihen minimalisht 2 makina të reja, ndërsa në total 134 makina të reja për policinë e shtetit.
Edhe sikur vetëm 4 vite të përdoreshin e të shiteshin me gjysmën e çmimit të blerjes, prej tyre mund të rikthehej gjysma e vlerës së përdorur për pagesën e qirasë te firma private.
Po në vlerën e këtij tenderi, ka edhe llogari tjetër krahasuese: Qiraja e 1 makine për 4 vite që ka marrë policia në përdorim, është e barabartë pagën e 5 viteve, që merr 1 polic në shërbim terreni.
Nga viti 2017 kur këtë tender “gropë të zezë” vjedhjesh e filloi Ardi Veliu e deri tani, Policia e Shtetit ka paguar 19 milionë me Euro për makina qira, për të cilat ka indicie, denoncime e prova të shumta, se privati nuk i jep të gjitha sipas numrit të kontratës.
Tenderin e makinave me qira, nga Auditi i Brendshëm i Policisë, i Ministrisë së Brendshme dhe i Ministrisë së Financave, është cilësuar shkelje ligjore dhe abuzim i rëndë financiar, mbasi policia është e kompletuar me automjete, sa u janë dhënë edhe sekretareve të shefave.
Policët, presin të marrin orët shtesë duke dëgjuar premtimet; dhe shqiptarët shpresojnë se policia do luftojë krimin ekonomik-financiar, kur këtë krim e ka në kupolën e saj./Pamfleti