TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia 8 Korrik 2026, 13:04

Dajlan Avdia i APEX dhe i librit "Albanian Files"; dosja e pronave të Lëkurësit dhe transaksionet me Vangjel Tavon. Çfarë pret SPAK?

Shkruar nga Pamfleti

Dajlan Avdia merr plazhin, Vangjel Tavo pushtetin!

Dajlan Avdia i APEX dhe i librit "Albanian Files"; dosja e pronave
Foto ilustruese/

Dajlan Avdia, i identifikuar në përgjimet e SKY ECC të trafikantëve për pastrim parash në kulla dhe resorte, gllabëroi 33 ha në Lëkurës me Vangjel Tavon, i cili u bë kryetar i Himarës me mbështetjen e Ramës. Pse nuk e prek SPAK?

SPAK ka në dorë një dosje të plotë që dokumenton transferimin e paligjshëm të një trualli prej 33,319 m² në zonën e Kalasë së Lëkurësit, Sarandë, nga familja Tavo tek TDT & Partners Sh.p.k., kompania e Dajlan Avdian dhe Glendi Abdi. Transferimi u realizua përmes një kontrate shitjeje me rezervë kalimi pronësie, e strukturuar si një marrëveshje financimi me katër këste, me një çmim total prej 3,579,617.92 euro, i cili përkon pikërisht me vlerën e vlerësuar të truallit pas manipulimeve flagrante të kapitalit.

Dajlan Avdia nuk është thjesht një ndërtues i zakonshëm. Ky person konsiderohet si një nga pastruesit kryesorë të parave të familjes kryeministrore, një rol që e ka ushtruar përmes projekteve të shumta në bregdetin jugor dhe në Tiranë. Emri i Avdias ka dalë në përgjimet e SKY ECC, ku ai identifikohet si një nga ndërmjetësit kryesorë të transaksioneve të dyshimta dhe të pastrimit të parave përmes ndërtimeve luksoze në Shqipëri. Përgjimet e SKY ECC e vendosin Avdian në qendër të një rrjeti të gjerë financiar që lidh biznesin e ndërtimit me kanale të pastrimit të parave, duke e bërë atë një figurë qendrore në skemën e korrupsionit të institucionalizuar në vend.

Vangjel Tavo: Nga dhurimi i aksioneve në kryetar bashkie në Himarë

Fakti më shokues i kësaj dosjeje është lidhja e drejtpërdrejtë mes këtij transaksioni të dyshimtë dhe ngjitjes politike të Vangjel Tavo. Më 16 Janar 2024, Vangjel Tavo i dhuroi 100% të aksioneve të kompanisë "THEAP KONSTRUKSION" vëllait të tij, Grigor Tavo. pak muaj më vonë, Vangjel Tavo u emërua kryetar i bashkisë së Himarës, një post kyç në një nga zonat më të lakmuara të bregdetit shqiptar.

Vangjel Tavo mori mbështetjen publike të kryeministrit Edi Rama për të kandiduar në Himarë, një mbështetje që erdhi pikërisht pas dhurimit të aksioneve dhe gjatë periudhës kur kompania po përgatitej për shitjen tek Dajlan Avdia. Ky pozicion i dha atij kontroll të drejtpërdrejtë mbi vendimet e planifikimit urban dhe të lejeve të ndërtimit në një zonë ku Avdia po zhvillonte projektin e tij gjigand në Lëkurës.

Nëse SPAK nuk e kufizon hetimin vetëm te disa emra të njohur, por shqyrton të gjithë zinxhirin e transaksioneve të kompanisë "THEAP KONSTRUKSION" Sh.p.k., do të zbulojë një model sistematik të kalimit të pronësisë së pasurive të paluajtshme përmes manipulimeve flagrante me kapitalin e shoqërive, grumbullimit të shpejtë të borxheve nga individë të dyshimtë dhe kontratave të strukturuara që lehtësojnë kalimin e pronësisë duke shmangur taksat dhe çdo kontroll publik. Ky model është i njëjti që ka karakterizuar zhvillimin e paligjshëm të bregdetit shqiptar gjatë dekadës së fundit, ku kompanitë e lidhura me qeverinë kanë grabitur tokën publike dhe private përmes dokumenteve të falsifikuara dhe vendimeve gjyqësore të manipuluara.

Origjina e pronës së shitur nga Tavo është e mbushur me përplasje dhe konflikte midis disa familjeve dhe shtetit. Kadastra e ka kundërshtuar dhënien e saj tek privatët, për shkak se pretendonte se toka ishte shtet. Por falë gjykatës, Vangjel Tavo arriti të shtinte në dorë pronën për tja shitur më pas Dajlan Avdiajt.

Prej më shumë se dy vitesh, në arkivat e prokurorive dhe në zyrat noteriale të Tiranës, është një dosje e plotë me dokumente që tregojnë rrugën e kësaj pasurie nga themelimi i kompanisë deri te shitja tek TDT & Partners. 

Trualli i Lëkurësit: Një pasuri që ndryshoi vlerën katër herë në një vit

Trualli me kod unik 8642056030 dhe numër pasurie 26/565, me sipërfaqe 33,319 m², ndodhet në fshatin Lëkurës, Sarandë, poshtë Kalasë së Lëkurësit. Kjo pronë është pikërisht vendi ku TDT & Partners planifikon ndërtimin e një resorti gjigand prej 680,000 m², me mijëra vila dhe apartamente, si dhe një hotel me 5 yje dhe 140 dhoma. Një pasuri që do të sillte miliona euro fitim për zhvilluesit, por që u ble përmes një labirinti që e bën të pamundur gjurmimin e origjinës së fondeve dhe të përfituesve realë.

28 Tetor 2021 - Themelimi i kompanisë "THEAP KONSTRUKSION" Sh.p.k. me kapital fillestar prej 100,000 lekësh dhe me administrator Eftalia Gjini. Brenda një muaji, Gjini u zëvendësua nga Evanthia Tavo, anëtare e familjes Tavo. Një ndryshim i shpejtë që tregon se kompania ishte krijuar vetëm si një mjet për të kaluar pronën nga një subjekt tek tjetri pa lënë gjurmë të qarta.

Mars 2022 - Familja Tavo kontribuoi në natyrë me truallin prej 33,319 m², duke e futur pronën në kapitalin e shoqërisë pa asnjë vlerësim të pavarur dhe transparent. Ky veprim ishte hapi i parë i një serie manipulimesh që do të rrisnin artificialisht vlerën e kompanisë për t'ia shitur më pas Dajlan Avdias me një çmim të fryrë.

Qershor - Shtator 2022 - Kompania grumbulloi 750,000 euro borxhe përmes 13 kontratave huaje të lidhura brenda vetëm tre muajve. Huadhënësit ishin kryesisht individë privatë dhe disa shoqëri, përfshirë vetë Grigor Tavon, i cili i dha kompanisë 150,000 euro në dy kredi të ndara. Dy prej këtyre huave, gjithsej 40,000 euro, u morën në cash, pa gjurmë bankare të qarta. Kjo metodë klasike për të futur para të pastra në qarkullim pa lënë gjurmë është një tregues i qartë i pastrimit të parave. Nuk ka asnjë arsye legjitime që një kompani të marrë 13 kredi të ndara nga 13 huadhënës të ndryshëm brenda 3 muajve, përveç synimit për të krijuar një rrjet borxhesh të pakontrollueshme që do të shlyheshin nga blerësi i ardhshëm, duke i dhënë një pamje të rreme financiare kompanisë.

20 Dhjetor 2023 - Kapitali i shoqërisë u rrit nga 100,000 lekë në 418,000,000 lekë, një rritje prej 418,000%. Rritja u krye në bazë të raportit të ekspertit kontabël Luan Muça, i cili vlerësoi pronën në natyrë me 85,600,000 lekë dhe rriti kontributin në para në 332,400,000 lekë. Ky vlerësim i dyshimtë nuk ka asnjë bazë reale, pasi e njëjta pronë vetëm disa muaj më parë vlerësohej me një fraksion të kësaj shume. Raporti i ekspertit kontabël shërbeu vetëm si mbulesë për të legitimuar një rritje artificiale të kapitalit.

8 Janar 2024 - Kapitali u zvogëlua dhe u sistemua në 359,178,863 lekë. Dokumentat e depozituara në QKB tregojnë se ky veprim u krye për të korrigjuar një "gabim" të mëparshëm, ku kontributi në para ishte raportuar gabimisht në 332,400,000 lekë, ndërsa në realitet ishte vetëm 100,000 lekë. Kontributi në natyrë u rrit në 359,078,863 lekë, duke e çuar vlerën totale të pronës në rreth 3.59 milionë euro. Një "gabim" ky që lejoi rritjen e vlerës së pronës me mijëra për qind pa asnjë bazë reale dhe pa asnjë kontroll nga institucionet shtetërore. Ky manipulim i kapitalit është një praktikë standarde e pastrimit të parave përmes kompanive.

16 Janar 2024 - Vangjel Tavo i dhuroi 100% të aksioneve vëllait të tij, Grigor Tavo. Një dhuratë që erdhi pikërisht në momentin kur kompania kishte arritur vlerën maksimale pas manipulimeve të kapitalit, duke përgatitur terrenin për shitjen tek Dajlan Avdia.

22 Maj 2024 - Nënshkrimi i kontratës së shitjes me rezervë kalimi pronësie, me çmim total 3,579,617.92 euro, i cili përkon pikërisht me vlerën e vlerësuar të truallit pas "korrigjimit" të kapitalit. Ky çmim i përshtatur me saktësi tregon se i gjithë operacioni ishte planifikuar paraprakisht.

Kontrata e noteres Denisa Çela: Një marrëveshje e strukturuar për të shmangur ligjin

Kontrata e shitjes me numër repertori 1561, datë 22 Maj 2024, e hartuar nga noterja Denisa Çela, nuk përfaqëson një shitje të zakonshme. Kjo kontratë është një marrëveshje e ndërlikuar financimi me garanci të forta për shitësin, e strukturuar qëllimisht për të shmangur taksat dhe për të krijuar një labirint ligjor që e bën të pamundur gjurmimin e transaksionit. Noterja Denisa Çela ka hartuar një dokument që i shërben pastrimit të parave të Dajlan Avdias, duke krijuar një iluzion të një shitjeje të rregullt ndërsa në realitet po zhvillohet një transferim i dyshimtë i pronësisë.

Çmimi total prej 3,579,617.92 euro u strukturua në katër këste me afate dhe destinacione specifike:

Kësti i parë: 600,000 euro - I paguar menjëherë në llogarinë e posaçme të noteres. Pas konfirmimit të pagesës, kontrata do të regjistrohej në QKB dhe pronësia do të kalonte tek TDT & Partners. Një shumë e madhe që kalon pa asnjë kontroll nga institucionet tatimore dhe pa asnjë verifikim të origjinës së fondeve.

Kësti i dytë: 1,500,000 euro - Afat pagese deri më 5 Qershor 2024. Ky këst ishte i destinuar kryesisht për shlyerjen e borxheve të shoqërisë, duke filluar me 750,000 euro për 13 kreditë e marra gjatë verës 2022. Pra, blerësi paguan borxhet që shitësi krijoi artificialisht vetëm 2 vite më parë, një mekanizëm që lejon kalimin e parave nga një xhep në tjetrin pa lënë gjurmë.

Kësti i tretë: 1,300,000 euro - Afat pagese deri më 31 Gusht 2024, i paguhet direkt Grigor Tavo.

Kësti i katërt: 179,617.92 euro - Afat pagese deri më 31 Tetor 2024, i paguhet direkt Grigor Tavo.

Rrjeta e borxheve: 13 kredi në 3 muaj nga huadhënës të dyshimtë

Kontrata liston 13 kontrata huaje të lidhura gjatë verës 2022, me një total prej 750,000 euro:

Kontratat e noterit Gentian Bineri:

Gazmire Koçiu: 20,000 euro (02.09.2022)
Shoqëria Linekx I: 20,000 euro (27.09.2022)
Theodhori Çabeli: 50,000 euro (23.09.2022)
Ferdinand Kabuci: 20,000 euro, marrë cash (23.09.2022)
Albert Kaci: 30,000 euro (23.09.2022)
Dhimiter Mici: 20,000 euro, marrë cash (23.09.2022)
Shoqëria ELKASA: 150,000 euro (27.06.2022)
Shoqëria ALIKO NDERTIMI: 100,000 euro (17.08.2022)
Axhem Koçiu: 50,000 euro (18.08.2022)
Llazar Barka: 20,000 euro (29.08.2022)
Kristaq Dako: 10,000 euro (02.09.2022)
Shoqëria FRESH: 50,000 euro (23.09.2022)

Kontratat e noteres Denisa Cela:

Grigor Tavo: 100,000 euro (24.06.2022)
Grigor Tavo: 50,000 euro (12.09.2022)
Ramiz Mezini: 50,000 euro (16.08.2022)
Brahim Hodo: 10,000 euro (26.09.2022)

Këto borxhe do të shlyheshin nga kësti i dytë i çmimit të shitjes, duke e "pastruar" kompaninë për pronarin e ri. Ky mekanizëm i krijimit dhe shlyerjes së borxheve është një metodë klasike e pastrimit të parave, ku paratë kalojnë nga një subjekt tek tjetri përmes kredive të rreme, duke fshehur origjinën e tyre reale.

Dajlan Avdia i APEX dhe i librit "Albanian Files"; dosja e pronave

Kontrata parashikon që kësti i dytë prej 1,500,000 euro do të sigurohej përmes një kredie bankare. Për këtë qëllim, TDT & Partners do të vendoste peng mbi kuotat e shoqërisë dhe mbi truallin në favor të bankës.

Më 21 Qershor 2024, kompania depozitoi në QKB marrëveshjen siguruese nr. 506 Rep., nr. 224 Kol, datë 28.05.2024, lidhur ndërmjet shoqërisë "TDT & PARTNERS" Sh.p.k. dhe bankës, mbi 100% të kuotave që zotëron në shoqërinë "THEAP KONSTRUKSION" Sh.p.k. Kështu, Dajlan Avdia merr kontrollin e një pasurie me vlerë miliona euro përmes një labirinti kompanish dhe borxhesh të falsifikuara.

Dajlan Avdia i APEX dhe i librit "Albanian Files"; dosja e pronave

Lidhja e Dajlan Avdiajt me librin "Albanian Files". Pse nuk vepron SPAK?

Më 30 Qershor 2026, një grup protestuesish dhe qytetarësh dorëzuan librin "The Albanian Files" në SPAK, duke kërkuar nisjen e një hetimi ndaj kryeministrit Edi Rama. Libri liston 523 projekte që kanë anashkaluar konsultimin publik, përfshirë projektet e Dajlan Avdian dhe TDT & Partners në bregdetin jugor.

Dosja "THEAP KONSTRUKSION" është pjesë e këtij libri dhe tregon një zinxhir të tërë transaksionesh që lidhin familjen Tavo, Dajlan Avdian dhe TDT & Partners me një nga projektet më të mëdha turistike në jug të Shqipërisë. Ky zinxhir përfshin manipulime me kapitalin e kompanisë, grumbullime të shpejta borxhesh nga individë të ndryshëm dhe struktura komplekse financimi që lehtësojnë kalimin e pronësisë së pasurive me vlerë të lartë.

SPAK e ka shumë të lehtë të vërtetojë këtë zinxhir transaksionesh duke ballafaquar të dhënat në Qendrën Kombëtare të Biznesit, në zyrat noteriale të Tiranës dhe në kadastrën e Sarandës. Dokumentacioni është i plotë dhe i disponueshëm: ekstraktet tregtare, vendimet e asamblesë, kontrata e shitjes dhe marrëveshja siguruese me bankën.

Por deri më tani, SPAK nuk ka nisur asnjë hetim për këtë dosje, megjithëse ajo përmban të gjitha provat e nevojshme për të dokumentuar një transferim të dyshimtë të pronësisë së një pasurie me vlerë miliona euro. Protestuesit që dorëzuan librin "Albanian Files" e cilësuan atë si një "armë krimi" që do të sigurojë burgosjen e kryeministrit, por deri më tani nuk ka pasur asnjë lëvizje nga ana e prokurorisë së posaçme.

Rasti i "THEAP KONSTRUKSION" ilustron një model të strukturuar të kalimit të pronësisë së pasurive të paluajtshme në Shqipëri, ku kompanitë përdoren si mjete për të transferuar asete me vlerë të lartë duke shmangur taksat dhe procedurat e blerjes së drejtpërdrejtë të pronave. Ky model përfshin themelimin e kompanive me kapital minimal, kontributin e pasurive në natyrë, rritjen artificiale të kapitalit përmes vlerësimeve të dyshimta, grumbullimin e borxheve nga individë të ndryshëm dhe shitjen e kompanisë së bashku me borxhet, duke krijuar një labirint që e bën të pamundur gjurmimin e origjinës së pasurisë dhe transaksioneve.

TDT & Partners, kompania e Dajlan Avdian, nuk bleu thjesht një truall. Kjo kompani bleu një kompani të gatshme për ndërtim, me leje dhe licenca, dhe me borxhet e shlyera, duke vazhduar një model që ka karakterizuar zhvillimin e paligjshëm të bregdetit shqiptar gjatë dekadës së fundit. Avdia, si pastruesi i parave të familjes kryeministrore, ka përdorur këtë strukturë për të marrë kontrollin e një pasurie me vlerë miliona euro pa lënë asnjë gjurmë të qartë të origjinës së fondeve.

Fakti që i gjithë ky proces është i dokumentuar në librin "Albanian Files" dhe është dorëzuar në SPAK, por prokuroria nuk ka nisur hetimet, ngre pyetje serioze për gatishmërinë e institucioneve për të hetuar korrupsionin në nivelet më të larta. Nëse SPAK ka filluar hetim për grabitjen e tokave në Zvërnec, Nartë e Pishë-Poros, nuk ka asnjë arsye që të mos hetojë të njëjtin model të dokumentuar në dosjen "THEAP KONSTRUKSION" për truallin e Sarandës.

Dokumentacioni është në tryezën e SPAK. Provat janë të plota. Por drejtësia vazhdon të vonojë.

A do të veprojë SPAK, apo kjo dosje do të përfundojë si mijëra të tjera në arkivat e prokurorisë, duke pritur një drejtësi që nuk vjen kurrë? /Pamfleti

dajlan avdia abdi vangjel tavo

Lini një Përgjigje