
Diella mund të shfaqet si zgjidhje për këtë sistem të kalbur, por pa transparencë mbi algoritmin, pa të dhëna publike mbi vendimmarrjet dhe pa një rrugë të qartë apelimi, ajo është vetëm një fasadë digjitale që mund të maskojë kontrollin e vërtetë politik mbi miliarda euro fonde publike...
Në një vend ku çdo tender publik është potencialisht një skandal në pritje, qeveria shqiptare ka zgjedhur një mënyrë të pazakontë për të demonstruar “reformën”: një ministre që nuk është njeri. “Diella” – një avatar i ndërtuar nga inteligjenca artificiale dhe i prezantuar si zëri i ri i transparencës në prokurimet publike, është bërë zyrtarisht pjesë e kabinetit të Edi Ramës.
Ajo nuk merr rrogë. Nuk bën pushime. Nuk kërkon tender për karburant apo për bileta avioni. Por as nuk përgjigjet para ligjit. Nuk mund të merret në pyetje, nuk ka imunitet për t’u hequr dhe më e rëndësishmja: nuk mund të thirret në SPAK. Këtu qëndron edhe thelbi i kësaj “risi”.
Diella, në dukje, është një hap i avancuar drejt automatizimit të administratës publike. Në realitet, është një eksperiment i rrezikshëm ku teknologjia po vendoset përballë llogaridhënies demokratike. Sepse në një shtet funksional, kushdo që menaxhon para publike, qofshin 100 euro apo 1 miliard, duhet të jetë i kontrollueshëm, i ndëshkueshëm dhe i verifikueshëm. Diella nuk është asnjëra nga këto.
Të gjithë e dimë që korrupsioni në Shqipëri nuk ndodh vetëm kur një ministër fut para në xhep. Korrupsioni fillon nga mënyra si hartohen kriteret e tenderit, si përjashtohet një konkurrent, si negociohen kushtet me “fituesin” dhe si justifikohen kostot që rriten në mes të rrugës. Diella mund të shfaqet si zgjidhje për këtë sistem të kalbur, por pa transparencë mbi algoritmin, pa të dhëna publike mbi vendimmarrjet dhe pa një rrugë të qartë apelimi, ajo është vetëm një fasadë digjitale që mund të maskojë kontrollin e vërtetë politik mbi miliarda euro fonde publike.
Qeveria shqiptare e prezanton Diellën si të ndërtuar nga AKSHI me ndihmën e Microsoft. Nuk është bërë publik asnjë dokument teknik, asnjë manual funksionimi, asnjë standard për auditim të pavarur. Nuk dihet se çfarë të dhënash janë përdorur për të trajnuar sistemin, si vendosen pikët e një tenderi, kush e programon atë dhe mbi të gjitha: kush mban përgjegjësi kur një vendim është i gabuar, diskriminues apo i manipuluar?
Në një shoqëri që ka humbur besimin te drejtësia dhe te politika, futja e një “ministreje virtuale” mund të duket si inovacion. Por inovacioni pa rregulla është vetëm spektakël. Dhe Shqipëria ka një histori të gjatë me spektakle teknologjike që përfundojnë si projekte të dështuara apo të shtrenjta për taksapaguesin.
Nëse Rama do të luftonte realisht korrupsionin në prokurimet publike, do të fillonte me zbardhjen e kontratave të mëdha koncesionare, do të garantonte konkurrencë reale në çdo tender dhe do të përforconte SPAK-un, jo ta zëvendësonte me një avatar që nuk mund të merret në pyetje.
Diella mund të mos marrë rrogë, por mund të japë miliarda. Dhe në një vend ku çdo vendim i rëndësishëm ekonomik është i politizuar, një ministre që nuk flet, nuk pyet dhe nuk kundërshton, është ëndrra e çdo pushteti që do kontroll pa përgjegjësi.
Në fund të ditës, kjo nuk është as reforma dixhitale, as luftë kundër korrupsionit. Është vetëm një mënyrë tjetër për të mos pasur askënd që mban përgjegjësi. Dhe pikërisht kjo është ajo që na duhet më pak. /Pamfleti
As më pak dhe as më shum, një grabitje që ka një emër, jo 5D, por 1d. Kot s’thuhet oreksi vjen duke ngrënë. Por harrojnë se c’do gjë e tepër të bën dëm. Diella mbetet masha e vetme në dorën e padronit të ramavicit. Sic duken bathët, një fund i turpshëm dhe i shpejt po i pret
Po shume mire, edhe po vodhi Diella ska ku ti coje leket :)