Anti-Mafia10 Prill 2024, 12:48

Dritan Delija, tjetër drejtor i Bashkisë Tiranë që i ka dhënë vetes 3.2 milionë Euro tenderë

Shkruar nga Pamfleti

 

Dritan Delija, tjetër drejtor i Bashkisë Tiranë që i ka
Dritan Delija, Drejtori Strategjik i bashkisë Tiranë /

Në Bashkinë e Tiranës, janë edhe 17 drejtorë të tjerë të modelit të drejtorëve “5D” e të drejtorit strategjik Dritan Delija; po kështu në bashkitë Durrës, Vlorë, Elbasan, Fier, Korçë e nëpër ministri; ku ka drejtorë përbindësh korrupsioni, për të cilët, “Pamfleti” ka filluar një investigim të gjerë dhe do publikojë vjedhjet që kanë bërë e po bëjnë...

Dokumenti që po publikon “Pamfleti”, fakton se në Bashkinë e Tiranës, ka drejtorë të tjerë që sajojnë dhe marrin tenderë miliona Euro nëpërmjet kompanive të tyre, të cilat pas emërimit në detyra, aksionet i kanë fshehur te të afërmit, siç vepruan drejtorët e grupit “5D”.

Më 2 prill 2024, Bashkia e Tiranës ka njoftuar në Buletinin e Prokurimit Publik, se kompania “Kuadr.Com Sh.p.k” ka fituar tenderin e radhës me vlerë të dyfishtë 94 milionë lekë me TVSH, për t’i dhënë çadra me qira Ndërmarrjes së Dekoreve dhe Eventeve të kësaj bashkie.

Kjo kompani është krijuar më 3 tetor 2017 nga Dritan Delija, kur ka qenë Ekspert i Grupit Parlamentar të PS në Kryesinë e Kuvendit; aksione të cilat i ka mbajtur deri më 9 shkurt 2019 kur ishte Drejtor i Agjencisë Kombëtare të Diasporës, e qëndroi deri më 30 nëntor 2020.

Ndërsa më 1 dhjetor 2020, ai u emërua Drejtor i Projekteve Strategjike në Bashkinë e Tiranës, ku vazhdon të jetë akoma dhe po përlanë miliona lekë, me tenderë në sektorin që drejton edhe nga drejtoritë e tjera të Bashkisë.

Pjesën 33.33% aksione te kompania “Kuadr.Com Sh.p.k”, drejtori strategjik i Bashkisë së Tiranës, Dritan Delija, ia ka shitur fiktivisht me dy kontrata në vlerë totale 95 mijë lekë, dy miqve e tij Aleksadnër Çifligu e Ilir Pandeli, ortakë-themelues të kompanisë bashkë me të.

Dritan Delija, tjetër drejtor i Bashkisë Tiranë që i ka

Por dhe pas shitjes së aksioneve, tenderët që kompania “Kuadr.Com Sh.p.k” ka marrë nga Bashkia e Tiranës, janë shtuar në numër e vlerë financiare, madje ka marrë dhe nga Ministria e Kulturës, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare etj., me vlerë totale 3.2 milionë Euro me TVSH.

Tenderin e radhës për çadra me qira, kompanisë së Drejtorit të Projekteve Strategjike të Bashkisë së Tiranës, Dritan Delija, ia ka dhënë kolegu i tij Henril Cule, Drejtor i Ndërmarrjes së Dekorit dhe Eventeve në Bashkinë e Tiranës.

Dritan Delija, tjetër drejtor i Bashkisë Tiranë që i ka

Vetëm në vitet 2021-2023, Drejtori i Bashkisë- Tiranë, Dritan Delija, pronar “de facto” i kompanisë “Kuadr.Com Sh.p.k”, ka marrë afro 1.5 milionë Euro tenderë pa garë nga Bashkia e Tiranës, për organizimin e 7 aktiviteteve kulturore në Tiranë; si koncerti “Notre Dame de Paris”; koncerti “Nikos Vertis”, koncertet e Vitit të Ri; “Tirana Fan Zone”, Koncerti “Rita Ora” etj.

Por mjeshtëria e vjedhjes është dhe në tenderin “Dhënie çadra me qira Ndërmarrjes së Dekorit dhe Eventeve në Bashkinë Tiranë”; për të cilin, vlera e fondit limit është 40 milionë lekë.

Dritan Delija, tjetër drejtor i Bashkisë Tiranë që i ka

Ndërsa fituese, përveç kompanisë “Kuadr.Com” të drejtorit Dritan Delija me vlerë 39.4 milionë lekë, është shpallur dhe firma “Dixhi Print AL” e mikut të tij Juland Mustafaj, me vlerë 39 milionë lekë, duke e çuar vlerën totale 94 milionë lekë me  TVSH, për të njëjtin volum shërbimi.

Por në Bashkinë e Tiranës, janë edhe 17 drejtorë të tjerë të modelit të drejtorëve “5D” e të drejtorit strategjik Dritan Delija; po kështu në bashkitë Durrës, Vlorë, Elbasan, Fier, Korçë e nëpër ministri; ku ka drejtorë përbindësh korrupsioni, për të cilët, “Pamfleti” ka filluar një investigim të gjerë dhe do publikojë vjedhjet që kanë bërë e po bëjnë./Pamfleti

dritan delija bashkia tiranë tenderë 3.2 milionë euro