Emërim pa garë, kompani “lavatriçe” dhe rol drejtues në menaxhimin e milionave nga baste ilegale, call-center dhe investime fiktive, faktet që po hetohen nga SPAK dhe BKH...
Gjergji Taho u emërua Drejtor i Licencave të Basteve Online dhe administrator i “Durana Park” pa procedurë konkurrimi, përmes ndikimit të koordinatorëve të krimit pranë qeverisë. Dosjet hetimore të SPAK e përshkruajnë si pjesë aktive të grupit criminal të Durrësit, me rol në fshehjen, transferimin dhe pastrimin e milionave euro nga baste ilegale, call-center dhe tenderë fiktivë. Rrjeti i tij përfshin shtatë kompani dhe tre subjekte “Person Fizik”, shumica pa bilance tatimore, ndërsa agjencitë ligjzbatuese e kanë futur Tahon në listën e marrjes në pyetje për krim financiar të organizuar.
Emërimi i Gjergji Tahos si Drejtor i Licencave të Basteve Online dhe njëkohësisht drejtor i parkut “Durana” nuk u bë përmes konkurrimit, por përmes ndikimit të grupit kriminal të Durrësit te Edi Rama, pasi ky grup që është nën hetim nga SPAK, e ka përdorur Gjergji Tahon për fshehje, transferim dhe pastrim milionash nga korrupsioni dhe trafiqet.
Emri i Gjergji Tahos është skeduar në dosjen e SPAK si pjesë drejtuese dhe aktive e veprimtarisë së grupit të Durrësit, në rolin e menaxhimit të milionave të siguruara nga bizneset ilegale të call-centerave, basteve online, rrjeteve informatike, pjesëmarrjeve fiktive në tenderë dhe financimeve të fshehta në ndërtim dhe turizëm.
Për të ushtruar lirisht këtë veprimtari të paligjshme, Gjergji Taho ka krijuar dhe përdorur shtatë kompani dhe tre subjekte “Person Fizik”, duke pasur mbrojtjen e grupit kriminal dhe, përmes tij, garancinë e paprekshmërisë nga policia dhe tatimet.
Firmat “lavatriçe” në shërbim të krimit financiar
Gjergji Taho, i përshkruar si “llogaritari” pastrues i parave të këtij grupi dhe i rrjetit të basteve ilegale, deri në fund të vitit 2015 ndodhej në Pinellas, Florida, SHBA.
Pas një divorci të dhunshëm me shtetasen Shana Marie Spear dhe përfshirjes në grupe të krimit financiar, ai u deportua në Shqipëri, ku vijoi të njëjtën veprimtari përmes krijimit të kompanive fiktive, të lidhura me qarqet e pushtetit, fillimisht me LSI-në dhe më pas me PS-në, përmes koordinatorëve të krimit.
Kompania “GOAL” sh.p.k., 100 për qind në pronësi të Gjergji Tahos, u krijua më 26 maj 2016, me objekt aktiviteti konsulencë për shoqëri vendase dhe të huaja në fushën ekonomike, call-center, lojëra elektronike, shitblerje pasurish të paluajtshme dhe investime në turizëm. Prej nëntë vitesh nuk ka bilance tatimore.
Kompania “SOLDOUTICKET” sh.p.k., 100 për qind në pronësi të Gjergji Tahos, u krijua më 24 tetor 2016, me aktivitet blerje dhe shitje biletash sportive, teatër, lojëra elektronike, call-center dhe realizim projektesh promocionale. Prej nëntë vitesh nuk ka bilance tatimore.
Kompania “BWB” sh.p.k., 100 për qind në pronësi të Gjergji Tahos, u ble nga Marsela Ahmetaj më 5 dhjetor 2016. Aktiviteti i saj përfshin instalimin, menaxhimin dhe mirëmbajtjen e impianteve të telekomunikacionit, informatike dhe sistemeve teknologjike.
Kompania “Paysera Albania” sh.p.k., 100 për qind në pronësi të Gjergji Tahos, u krijua më 1 prill 2020, me aktivitet këmbime valutore, depozitime financiare, transferta jashtë dhe brenda Shqipërisë, si dhe kreditime jo bankare. Prej pesë vitesh aktiviteti i saj nuk është deklaruar në tatime.
Kompania “BE MOBILE” sh.p.k. u krijua më 10 gusht 2018 nga Gjergji Taho, i cili më 27 shtator 2018 dhe më 29 korrik 2020 shiti formalisht 90 për qind të aksioneve te shtetasit italianë Igor Battiston dhe Alessandro Cairone, të lidhur me organizatën kriminale dhe aktualisht pjesë e bizneseve anëtare të “Durana Park”, ku Gjergji Taho është administrator shtetëror.
Kompania “MY GREEN SOLUTION” sh.p.k. u krijua më 11 prill 2022, me pronësi 50 për qind të Gjergji Tahos dhe 50 për qind të Sindi Sinematit, zyrtar në OSHEE dhe person i lidhur me Ermal Beqirin. Aktiviteti i saj përfshin projektimin, ndërtimin dhe financimin e centraleve të energjisë dhe prej tre vitesh nuk ka bilance tatimore.
Kompania “Nexus Vision” sh.p.k. u krijua më 17 tetor 2022, 100 për qind në pronësi të Gjergji Tahos, me aktivitet ndërtim, punime dheu, inerte, prodhim parafabrikatesh, beton, ndërtime turistike, rrugë, ura dhe hekurudha. Prej tre vitesh nuk ka bilance tatimore.

Gjergji Taho ka gjithashtu tre biznese të regjistruara si “Person Fizik”, me aktivitete në ndërtim, agjenci financimi, transferta financiare jashtë dhe brenda Shqipërisë, call-center, lojëra fati, shërbime teknologjike dhe energjetike, të gjitha pa bilance tatimore.
Të dhëna nga Agjencia e Inteligjencës Financiare, SHISH dhe BKH flasin për pastrim parash nga Gjergji Taho për llogari të tij dhe të grupit criminal të Durrësit, edhe përmes pesë kompanive fiktive të krijuara nga ortaku i tij Sindi Sinemati në vitet 2019–2024, të gjitha pa bilance tatimore.
Emri i Gjergji Tahos ndodhet në listën e personave për t’u marrë në pyetje nga BKH, por Policia ka deklaruar se nuk dihet vendbanimi i tij. Ndërkohë, sipas adresës zyrtare si drejtor i basteve dhe i “Durana Park”, ai banon në adresën: Vila nr. 1, Blloku nr. 1, kompleksi “Sun Rise”, pranë TEG, Lundër./Pamfleti
Lini një Përgjigje