Ismaili hesht për nxjerrjen e të dhënave personale të kosovarëve jashtë shtetit pa dijeninë e tyre. Me qëndrimin e tij ndaj dinarit serb po mundohet ta fshehë këtë skandal...
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) Ahmet Ismaili ka vendosur të heshtë rreth mashtrimit të konsumatorëve nga kompanitë e sigurimit.
Krimi financiar më i madh i pasluftës po mbahet i fshehur nga BQK-ja, organi përgjegjës për ta luftuar atë.
Janë rreth 400.000 kosovarë që kanë regjistruar dhe siguruar automjetet në Kosovë dhe të dhënat e tyre personale janë transferuar në serverë online të kompanive të huaja, veprim ky jo vetëm i jashtëligjshëm, por edhe i rrezikshëm për sigurinë personale dhe nacionale të vendit.
Kompania “Quantix” së bashku me grupin kriminal të kompanive të sigurimeve nuk kanë informuar blerësit e policave të sigurimit se të dhënat e tyre personale në detaje mund të transferohen jashtë vendit. Pamfleti mëson se ata njëanshëm më pas kanë ndryshuar termet në kontratën e qytetarëve me kompanitë e sigurimeve, pa njoftuar konsumatorët e tyre paraprakisht.
“Pamfleti” posedon gjithë dokumentacionin dhe të dhënat rreth këtij skandali dhe është në ndjekje të rastit A. G. (emër i njohur për redaksinë). Ky person tash ka ushtruar padi ndaj kompanisë së sigurimeve “Dukagjini”, ku ka regjistruar automjetin dhe të dhënat pretendon se i janë dërguar jashtë shtetit.
Që nga viti 2021 po pret një përgjigje nga shteti. Para ushtrimit të padisë, A.G. ka deponuar ankesë edhe në BQK si dhe tek Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), por as pas dy viteve nuk ka marrë përgjigje. Mirëpo, dyshon se rasti i saj edhe nga gjyqësori po neglizhohet dhe po përpiqet të heshtet si skandal që dridh themelet e shumë institucioneve në Kosovë. Edhe nga zyra ligjore e A.G. kanë thënë për Pamfletin se deri tani asnjë seancë gjyqësore nuk është thirrur për këtë rast nga Gjykata Themelore në Prishtinë ku është ushtruar padia.
Sipas informacioneve që posedojmë guvernatori Ahmeti në mesin e miqve ka thënë se nuk i intereson ky skandal, pasi sipas tij vendimi është marrë në kohën e ish guvernatorit Fehmi Mehmeti. Logjika e Ahmetit është e thjesht: pasi unë se mora këtë vendim çka më intereson t’i mbrojë të drejtat e konsumatorit apo të kompanive të sigurimit.
Shefik Gërbovci, drejtor i ri i BKS-së nuk është përgjigjur për Pamfletin, ndonëse është kontaktuar lidhur me informacionin që posedojmë se ndaj kompanisë QUANTIX janë duke u zhvilluar hetime për softin e ashtuquajtur anti mashtrimit.
Selatin Kaçaniku, drejtues i OJQ-së “Konsumatori” thotë se shteti nuk po e kryen punën që e ka në mandat e obligim, në aspektin sasior e cilësor keqpërdorimi dhe keqmenaxhimi i të dhënave personale të qytetarëve konsumator po vazhdon. “Të dhënat personale, informatat sensitive, edhe ato që do të duheshin të jenë të klasifikuara nuk e kanë mbrojtjen e duhur. Është detyrë e mekanizmave të drejtësisë dhe të zbatimit të ligjeve, në veçanti të prokurorive gjegjëse, relevante që të reagojnë edhe EX OFFICIO, sipas detyrës zyrtare, pa pritur fletëparaqitje, denoncim, ankesë, për hetimin e zbatueshmërisë, shkeljes ligjore. Përgjegjësia institucionale dhe e Sistemit të Drejtësisë është tejet e lartë dhe delikate. Kjo, në veçanti nëse kemi parasysh probabilitetin se provokimi / rrezikimi i pakënaqësisë së gjerë në popull / në masë / mes 400.000 konsumatorësh me dyfishin e anëtarëve të familjeve të tyre, krijon rrezikshmëri të lartë për stabilitetin në Shtet?!”, ka deklaruar ai për Pamfletin.
Sistemi i Drejtësisë, sipas tij po vepron si të ishte “Sistem i Partisë”, jo vetëm i asaj në pushtet.
Kaçaniku thotë se keqpërdorimi i të dhënave personale të individit paraqet rrezik për Shtetin, për Kushtetutën, për demokracinë... “ Neglizhenca, injoranca, konflikti i interesit, rrjeti politiko-mafioz, korrupsioni- ndarja e “tallit”, ndarja e sferave – fushave, tregjeve, pushteteve paralele të interesit, si në Sigurimin e automjeteve...etj. Sepse as kjo Qeveri e ky Parlament, as Ministritë, në veçanti MINT-i, nuk e njohin kauzën e qytetarit - familjes konsumatore, nuk e njohin qytetarin konsumator”.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrjes dhe Tregtisë (MINT) si dhe Këshilli për Mbrojtjen e Konsumatorit në Kosovë që vepron në kuadër të saj, janë njoftuar nga Pamfleti për këtë krim financiar, por nuk kanë dhënë ende asnjë deklaratë./Pamfleti
Lini një Përgjigje