TAGS-AT E JAVËS

Politike 2 Korrik 2026, 11:33

Muçi përplaset me Bidon: Më je qepur me bukë në trasë me urdhër të Ballës!

Shkruar nga Pamfleti
Muçi përplaset me Bidon: Më je qepur me bukë në
Redi Muçi

Deputeti socialist Ardit Bido dhe deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, u përfshinë në një debat të fortë gjatë seancës plenare të së enjtes, ku në qendër të replikave ishin çështja çame, hetimet për pronat në Zvërnec dhe protestat e zhvilluara jashtë Parlamentit.

Muçi tha se Bido, me urdhër të kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Ballës, e ka vendosur në shënjestër dhe i është ‘qepur me bukë në trastë’.

Më tej Muçi duke iu drejtuar Bidos i tha se nuk e merrte aspak seriozisht dhe me ironi shtoi se deputeti socialist i kujtonte komenditë e viteve 1990.

“Shoku Bido, me urdhër të Taulantit që para disa javësh tha se më ka vënë në shënjestër, më është qepur pas me bukë në trastë. Në atë kohë të rrasnin në hetuesi dhe të vërshonin përrenjtë e akuzave. Veçse unë ty o Bido, jo që s’të marr seriozisht, por ti s’më dukesh as si ata maskarenjtë që ishin hetues në kohën e Enverit. Ti mua më kujton vetëm komeditë e viteve 90. Më kujton Ceken që me radiomarrës në dorë dilte nga ferra. Prandaj Bido vazhdo me fushatën e kundërzbulimit dhe asnjë hap pas”, tha mes të tjerash Muçi.

Bido akuzoi Muçin dhe Lëvizjen Bashkë se nuk kanë mbrojtur asnjëherë çështjen çame, ndërsa u ndal edhe te hetimet për pronat në Zvërnec. Sipas tij, SPAK ka vepruar drejt duke bllokuar shumën prej 128 milionë eurosh nga shitblerja e pronës dhe, në përfundim të procesit, fondet do t'i kalojnë pronarit që do të njihet ligjërisht.

“Sot ne miratojmë Rezolutën për punën e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Unë dua të qëndroj vetëm në një aspekt. Në aspektin që në debatin tonë publik u zhduk befas javët e fundit nga këta sharlatanët dhe populistët e pafre, antishqiptarët e tradhtarët që mbysin debatin tonë publik. Për Zvërnecin, për atë që me gjasme u çuan këta sharlatanë dhe që me të drejtë u çuan mijëra shqiptarë, që pastaj këta mijëra shqiptarë ikën nga sheshi dhe pastaj mbetën vetëm këta sharlatanët. E drejta e pronës së banorëve të Zvërnecit është një e drejtë legjitime.
Si deputeti i vetëm që ka folur me emra bashkë me kolegë të PS-së kur këtë populistë antishqiptarë qepnin gojën, e them sërish, banorët e Zvërnecit kanë të drejtën e plotë mbi pronësinë me ligjin 7501 dhe fiset Balliu e Moçka me dokumentet që kanë. Sot ne jemi në një ditë të mirë në këtë drejtim. SPAK ka nisur hetimet. Shuma e shitblerjes e asaj prone është e bllokuar. Dhe kush të rezultojë në fund që është pronar i asaj prone, atij do i kalojë. Sot ne shohim në protestë sesi një grup prej 60 huliganësh, të frymëzuar nga sharlatanët politikë, mirëpresin këta 60 individë me vezë në xhep, Vangjel Dulrat e Red Muçrat, që i kam ftuar të flasin për Çamërinë, çohen dhe thonë një asgjë të madhe dhe vetëm për plagën tonë kombëtare nuk flasin dot. Antishqiptarët nuk kanë bri. Vorioepirotizmi nuk ka pri, por kanë fytyrë, kanë fytyrë brejtësi. Ka njerëz që nuk kanë din e iman dhe e vetmja gjë që dinë është si t’i bëjnë dëm vendit tonë”, tha Bido.

Në përgjigje, Redi Muçi hodhi poshtë akuzat, duke deklaruar se Lëvizja Bashkë është e vetmja forcë politike që e përmend në mënyrë të posaçme çështjen çame në programin e saj. Ai tha gjithashtu se nuk kishte asnjë hezitim të denonconte nga foltorja e Kuvendit gjenocidin ndaj shqiptarëve të Çamërisë.

“Mesa duket zoti Bido nuk më ndjek në rrjetet sociale. Lëvizja Bashkë ku unë bëj pjesë krenarisht, është e vetmja forcë politike që në programin e vet politik përmend në mënyrë specifike popullin Çam dhe të drejtën e tij për t’u njohur nga shteti grek. Këtë gjë nuk e bën as qafa ku është kacavjerr zoti Bido. Unë jam i vetmi nga Parlamenti që kam denoncuar gjenocidin ndaj popullit palestinez, sepse për ne në Lëvizjen Bashkë, padrejtësia ndaj një populli, është padrejtësia që i bëhet çdo populli. Prandaj s’kam asnjë kompleks që nga kjo sallë të denoncoj gjenocidin ndaj popullit çam nga shteti grek. Eksodin e imponuar nga populli grek ndaj popullit Çam. Nacionalizmi është skuta e fundit e maskarenjve”, tha mes të tjerash Muçi.

Debati nuk u mbyll me kaq. Ardit Bido mori sërish fjalën dhe e akuzoi Muçin se po përçan kombin me përdorimin e termit "populli Çam", ndërsa kritikoi edhe krahasimin që ai bëri me Palestinën.

“Populli Çam thuaja ndonjë tjetri. Përçarje brenda Kombit tonë bëje jashtë këtij Kuvendi. Sepse je i pacipë dhe i paturp. Krahason shqiptarët e Çamërisë me Palestinën. Sa jemi ne, PS, një forcë që juve do iu mbysë, ju nuk bëni dot përçarje”, tha Bido.

redi muci perlaste me ardit bidon

Lini një Përgjigje