Kapobanda shqiptare e Parisit, Bekim Bulica, me dy call center kokaine në mes të “Parisit të Ramës“, i raportuar nga shërbimet franceze dhe SHISH te organet e drejtësisë, por asnjë arrestim në Shqipëri, ndërsa 15 djem të rinj shqiptarë vuajnë dënimin në burgjet franceze dhe paratë e kokainës pastrohen nëpërmjet firmave në Tiranë, Kukës e Ksamil.
Lidhja e tyre është aq e ngushtë, sa sipas raporteve të policisë franceze dhe letërporosive që kanë mbërritur në organet e drejtësisë shqiptare, rezulton se pas këtyre rrjeteve qëndron Bekim Bulica, një emër i skeduar për trafik ndërkombëtar droge, pastrim parash dhe rekrutim të të rinjve të mashtruar. Në Shqipëri, paratë e kokainës kalojnë nëpërmjet firmave të regjistruara në emër të familjarëve K.B. L.B. dhe F.P.
Një informacion i kopsitur mirë ka mbërritur në redaksinë e “Pamfletit”: mediat franceze kanë rënë në gjurmët e kapobandës shqiptare të Parisit, Bekim Bulica, duke shkruar për call-center-t e kokainës dhe 15 të rinjtë e mashtruar që tashmë vuajnë dënimin në burgjet franceze, por kur bëhet fjalë për organet e drejtësisë shqiptare, tek të cilat policia franceze ka depozituar letërporosi e raporte, pyetja mbetet: çfarë ka bërë SPAK-u deri tani?
Më 24 prill 2025, gazeta prestigjoze franceze Le Parisien publikoi një artikull ku zbulonte se një rrjet shqiptar drejtonte dy call center në Paris dhe periferi, të cilët shpërndanin kokainë me porosi. Tetë persona, shtatë shqiptarë dhe një francez, u vunë nën akuzë për trafik droge, pastrim parash dhe organizatë kriminale. Më 20 shkurt 2026, e njëjta gazetë shkroi për arrestimin e tre shtetasve shqiptarë në të njëzetat që shpërndanin kokainë në këmbë dhe me biçikletë në Paris dhe Hauts-de-Seine. Të tre u dënuan me burg. Po atë vit, Le Monde ka përmendur në një artikull fenomenin e rrjeteve shqiptare të drogës në Paris, por pa iu referuar direkt emrit të Bekim Bulicës.
Pas çdo arrestimi, policia franceze i ka dërguar informacione organeve të drejtësisë në Shqipëri. Në total, 15 të rinj shqiptarë kanë përfunduar në burgjet franceze për shkak të këtij rrjeti. Por kapobanda shqiptare e Parisit vazhdon të jetë i lirë. Bulica nuk është arrestuar asnjëherë as në Francë e as në Shqipëri dhe vazhdon të pastrojë para me resorte luksi, makina të shtrenjta të regjistruara si prona kompanie etj.
Sipas informacionit që disponon Pamfleti, BKH ka nisur hetimet për pastrim parash dhe në dosjet e drejtësisë figuron lidhja e Bekim Bulicës me firmat e regjistruara në emër të të afërmve të tij. B&F Diagnostics shpk, me pronare L.B. dhe F.P. Bulica Pharma shpk, me pronare L.B. Burime pranë agjencive tregojnë se në tavolinat e drejtesisë kanë rënë edhe raporte sekrete që lidhin kapobandën shqiptare të Parisit me pastrimin e parave përmes bizneseve të tjera në emër të të tretëve.
Pas raportimeve të përsëritura nga policia franceze, i skeduari Bekim Bulica nuk është prekur. Operacioni në Paris vazhdon të drejtohet nga distanca përmes ortakut të tij nga Korça, i cili në dosje figuron me inicialet A.C. Burime brenda strukturave të sigurisë konfirmojnë se SHISH ka raportuar prej kohësh te institucionet përkatëse për aktivitetin e Bekim Bulicës, por deri më tani asnjë hetim serioz nuk ka nisur.
I vetmi veprim që ka bërë Policia e Shtetit deri më tani është një kontroll në lokalin luksoz në Ksamil, ku sipas informacionit që ka "Pamfleti", janë gjetur prova për të cilat Bekim Bulica është skeduar nga agjencitë partnere franceze, por nuk është arrestuar dhe janë fshehur si fakte. /Pamfleti
Vjen koha qe i jep mundesine e arte fshatarit derr nga humbetira Bushtrice, te jetoje ne Paris e enderron te behet Al Kapone.
Pyes veten kur do të vijë ty “mundësia e artë”, Tony. Me kaq mllef e inat, rrugën e ke vetëm drejt humbëtirës, jo Parisit.