Anti-Mafia 3 Mars 2023, 11:16

Alketa Vejsiu “argëton e edukon” fëmijët në “Piter Pan”, me milionat e kokainës të Bana-King; bosi Trifon Murataj në kërkim

Shkruar nga Pamfleti
Alketa Vejsiu “argëton e edukon” fëmijët në
Alketa Vejsiu në emisionin e saj "Piter Pan"

Drejtuesja e emisionit “Në Kurthin e Piter Pan”, e di që është veprim i paligjshëm, pasi i kanë arrestuar vëllain Endrit Vejsiu për trafik droge; ndërsa SPAK nuk po vepron, megjithëse Kodi Penal e cilëson “Krim në bashkëpunim”, çdo aktivitet që financohet nga burime kriminale; por ligji detyron Autoritetin e Mediave, të bllokojë çdo emision e të kallëzojë penalisht, autorët e emisionit dhe pronarët e medias ku transmetohet

Emisioni “Në Kurthin e Piter Pan” që moderatorja dhe pronarja Alketa Vejsiu e transmeton në TV-Klan, është tërheqës për fëmijët, mbasi siç thotë ajo, i argëton, kulturon e edukon fëmijët, nëpërmjet prindërve e personazheve publik që u vendos përballë.

Por ky emision fëmijësh, financohet nga krye-trafikanti i kokainës Trifon Murataj, nëpërmjet kompanisë “Bana- King”, me kontejnerët e së cilës gjatë viteve 2021-2022 janë futur në Portin e Durrësit mbi 2 ton kokainë, ndërsa te magazina e bananeve në Vaqar, iu kapën 119 kg. kokainë.

Po kështu, DEA-Amerikane në nëntor 2014 e mars 2018, i ka dërguar disa raporte policisë shqiptare, me informacion e prova, se kompania shqiptare “Bana- King” me pronar Trifon Murataj dhe bashkëpunëtor vrasësin e trafikantin Ben Qimja, trafikojnë kokainë nga Ekuadori në Durrës, Tiranë, Fier, Vlorë, Kosovë, Mali i Zi, Maqedoni.

Më 4 nëntor 2022, Policia dhe SPAK e kanë shpallur në kërkim krye-trafikantin Trifon Murataj, pronar i Bana-King, pas kapjes së 33.5 kg. kokainë në kontejnerët e bananeve në Durrës.

Alketa Vejsiu “argëton e edukon” fëmijët në
Krye trafikanti i kokainës, Trifon Murataj, sponsorizuesi kryesor i emisionit "Piter Pan"

Nuk themi, që Alketa Vejsiu të mos bëjë emisione argëtimi e edukimi për fëmijë 5-7 vjeç, madje duhet të jenë sa më shumë të tillë; por është kriminale, që në një emision televiziv fëmijësh, në çdo 10 minuta transmetohet reklama me kontejnerët, makinat dhe këngën joshëse të kompanisë trafikuese të kokainës “Bana- King”.

Me këtë reklamë, fëmijëve parashkollor e të klasës së parë fillore, Alketa Vejsiu u injekton imazhin kompanisë “Bana- King” të kryetrafikantit në kërkim ndërkombëtar, Trifon Murataj.

Pra, te emisioni “Në Kurthin e Piter Pan”, ku natyrshëm shpërthen bota dhe ndjenja kristal e fëmijëve e jepen mesazhe kundër veseve, drejtuesja e emisionit në TV-Klan promovon krimin.

Me reklamën e “Bana King”, krye-trafikanti Trifon Murataj, paraqitet si “shenjtor, i dashur e idhull shpirtëror e model shoqëror” për fëmijët, kur ai është djalli që shkatërron të rinjtë, familjet dhe lë qindra fëmijë jetim nga çmenduria dhe vdekjet e prindërve prej kokainës.

Alketa Vejsiu e di që është e paligjshme të reklamojë trafikantë në media, sepse më 30 shtator 2018, për trafikim droge iu arrestua vëllai; por para milionave që i jep trafikanti i “Bana King”, ajo e Sandër Frangaj, nuk duan t’ia dinë për deformimin psiko-moral të fëmijëve që marrin pjesë e ndjekin  emisionin “Në Kurthin e Piter Pan”.

Nuk po vepron as SPAK, megjithëse Kodi Penal e cilëson “Krim në bashkëpunim”, çdo aktivitet publik që financohet me të ardhura nga burime kriminale, siç është rasti i këtij emisioni; por ligji detyron edhe Autoritetin e Mediave Audiovizive, t’i bllokojë e të kallëzojë penalisht, autorët e emisionit dhe pronarët e medias ku transmetohet.

Por sipas informacioneve, zyrtarët e drejtësisë që e kanë shpallur në kërkim bosin e “Bana King”, si dhe ata të Autoritetit të Mediave, çojnë  fëmijët e tyre në emision, shikojnë reklamën “Bana King” dhe falenderojnë Alketa Vejsiun e Sandër Frangajn./Pamfleti 

alketa vejsiu "piter pan" trifon murataj bana king