TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia26 Janar 2026, 11:16

Në cilën fazë është hetimi i SPAK për “Beun” e Këlcyrës, Klement Ndoni; i proceduar për blerje votash, tenderë e trafik droge?

Shkruar nga Pamfleti
Në cilën fazë është hetimi i SPAK për
Klement Ndoni /

Procedimi penal për krim zgjedhor dhe trafik droge ndaj kryebashkiakut të Këlcyrës mbetet pa asnjë veprim prej vitesh, ndryshe nga rastet e ngjashme që SPAK i çoi shpejt në gjykatë...

Që prej zgjedhjeve të 14 majit 2023, kryebashkiaku i Këlcyrës, Klement Ndoni, është nën hetim për krim zgjedhor me Procedimin Penal nr. 178/2023, pas kallëzimeve për blerje votash me para, punësime dhe pasuri publike. BKH ka administruar prova dhe ka evidentuar edhe procedime të tjera për korrupsion, ndërsa denoncime të vjetra për trafik droge i janë bashkëngjitur dosjes. Megjithatë, prej afro tre vitesh nuk ka asnjë veprim procedural apo informacion zyrtar nga SPAK, ndërsa Ndoni vijon mandatin e katërt dhe aktivitetin e tij publik, duke ngritur dyshime serioze për zvarritje dhe standard të dyfishtë në hetimin e krimeve zgjedhore.

Prej 15 vitesh, Këlcyra ka kryebashkiak Klement Ndoni, funksionar i pushtetit lokal me katër mandate radhazi, personazh i mbajtur në hije, megjithëse për të kanë dalë në dritë shumë afera financiare dhe përfshirje në veprimtari kriminale.

Gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të 14 majit 2023, kur kryebashkiaku i Këlcyrës, Klement Ndoni, ndërmori veprime të paligjshme për të siguruar mandatin e katërt, disa qytetarë e kallëzuan në SPAK për blerje votash dhe premtime për vende pune e pasuri publike.

Prokurori i SPAK, Olsi Dado, pranoi kallëzimin, regjistroi çështjen dhe hapi Procedimin Penal nr. 178/2023, me subjekt hetimi Kryetarin e Bashkisë së Këlcyrës, Klement Ndoni, për veprën penale krim zgjedhor, me objekt blerjen e votave përmes financimeve dhe premtimeve për punësime dhe asete publike.

Pas pesë muajsh hetime nga BKH, më 18 tetor 2023, një nga kallëzuesit, banori i Këlcyrës Agim Bakushllari, u thirr në BKH dhe SPAK për sqarime lidhur me akuzën, ku paraqiti prova që vërtetonin krimin zgjedhor të kryebashkiakut Klement Ndoni.

Gjatë hetimit paraprak u evidentuan raste të tjera të ngjashme të krimeve zgjedhore nga kryebashkiaku Ndoni gjatë fushatës elektorale, përmes shpërblimeve në para, punësimeve, tenderëve, dhënies së tokave dhe kontratave të qirasë, të cilat u konkretizuan pas muajit maj 2023, kur ai mori mandatin e katërt.

Duke analizuar veprimtarinë e tij abuzive në krye të bashkisë, BKH konstatoi edhe ekzistencën e një procedimi penal në Prokurorinë Lokale, për korrupsion me tenderët, fondet e projekteve, punësimet dhe pagesa për persona që nuk ndodheshin në Shqipëri.

Nuk ka asnjë informacion zyrtar se çfarë është bërë me këtë kallëzim penal ndaj kryebashkiakut Klement Ndoni. Ndërkohë, në vitin 2016, ai u denoncua publikisht nga banori i Këlcyrës, Bardhi Nunollari, i dënuar për trafik droge, i cili deklaroi se kishte trafikuar lëndë narkotike bashkë me kryebashkiakun Ndoni, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.

Ky denoncim për trafik droge iu bashkëngjit hetimit të SPAK për krimin zgjedhor. Megjithatë, prej afro tre vitesh, prokurori i çështjes, Olsi Dado, nuk ka kryer asnjë veprim procedural për Procedimin Penal nr. 178/2023 ndaj kryebashkiakut të Këlcyrës, Klement Ndoni.

Nuk ka asnjë informacion nga SPAK se në çfarë faze ndodhet hetimi, nëse është mbyllur në heshtje apo po zvarritet qëllimisht për tejkalim afatesh.

Ndërkohë, hetimin për krimin zgjedhor ndaj kryebashkiakut të Rrogozhinës, Edison Memolla, SPAK e përfundoi dhe e dërgoi për gjykim në kohë rekord, duke përfunduar me dënim me një vit burg.

Ndryshe nga ky rast, për kryebashkiakun e Këlcyrës, Klement Ndoni, çështja rezulton e “bunkerizuar”, pa asnjë veprim apo informacion publik, ndërsa ai vijon detyrën në vitin e fundit të mandatit të katërt dhe shfaqet në takime private duke deklaruar se ka mbyllur pazaret për pushimin e çështjes penale.

Se me kë janë bërë këto pazare dihet vetëm nga vetë kryebashkiaku Klement Ndoni. Fakt është se ai vijon aferat me tenderët, kanalizon shuma të konsiderueshme parash në Raiffeisen Bank dhe ka fshehur pasuri të shumta, për të cilat ekzistojnë prova./Pamfleti

klement ndoni

Lini një Përgjigje