TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia20 Maj 2025, 14:15

Nga skafist i tragjedisë së Otrantos, në ndërtues kullash në Lungomare: Rama i jep leje Viron Robajt

Shkruar nga Pamfleti

 

Nga skafist i tragjedisë së Otrantos, në ndërtues kullash
Viron Robaj dhe Edi Rama /

Trafikanti i dënuar me 25 vite burg për vdekjen e 21 shqiptarëve, rikthehet si investitor strategjik në Vlorë me 20 milionë euro ilegale. Heshtin SPAK, Prokuroria dhe i gjithë shteti...

Më 26 mars 2025, vetëm pak javë përpara zgjedhjeve, kryeministri Edi Rama firmosi dy leje ndërtimi të dhëna për Viron Robajn, një emër që në çdo vend normal do të ishte sinonim i dënimit përjetë, por në Shqipëri është simbol i rikthimit të krimit në zemër të shtetit.
Me dy leje të miratuara nga Këshilli Kombëtar i Territorit, Robaj, përmes kompanisë “Eve Construction”, në bashkëpunim me “Kumi Konstruksion” dhe “Semajo”, ka marrë të drejtën për të ndërtuar:

-2 kulla 20 dhe 21 kate në Lungomaren e Vlorës
-Një kompleks pallatesh 12-13 kate në zonën qendrore të qytetit
Në dukje një zhvillim i zakonshëm, por në prapaskenë, një skandal i trefishtë:

1. Krim penal me vrasje masive në det
2. Financim i paligjshëm nga jashtë me 20 milionë euro të padeklaruara
3. Ndërhyrje direkte politike për të lejuar përdorimin e këtyre fondeve për ndërtim kulle në tokë publike e urbane

Kush është Viron Robaj?
Një trafikant i dënuar për tragjedinë e 9 janarit 2004, ku u mbytën 21 emigrantë shqiptarë në Otranto, pasi gomonia e tij u la në mëshirë të fatit. Ai u arratis, u arrestua nga Interpol në Peruxhia më 2015 dhe gjyqtarët e Vlorës, në vend të 25 viteve burg që kishte marrë në mungesë, i dhanë vetëm 3.
Sot, është njeri i lirë. Dhe më shumë: është investitor strategjik i miratuar nga Babloku.

Ndërsa “Eve Construction” është një firmë me kapital vetëm 300 mijë lekë, themeluar në 2022, e pa asnjë aktivitet real financiar, Robaj ka futur në Shqipëri ilegalisht 20 milionë euro, për të cilat SHISH, në bashkëpunim me agjenci partnere, ka raportuar te institucionet përkatëse: SPAK, Prokuroria e Përgjithshme dhe Agjencia e Inteligjencës Financiare.

Por të treja institucionet janë në heshtje, megjithëse kanë dijeni të plotë për këtë operacion të pastër të pastrimit të parasë përmes ndërtimit në tokë publike.

Skema është më e thellë se thjesht leje ndërtimi.
Raportet sekrete tregojnë se Robaj nuk është vetëm. Ai është bashkë-financues me të tjerë biznesmenë të njohur të zonës, ndër të cilët përmenden edhe emrat e vëllezërve Zaimi dhe P. Kumi.
Por më shqetësues është fakti që 1.5 milionë euro nga këto para janë përdorur për të financuar fushatën e Partisë Socialiste në Vlorë.

Lejet që Rama i dha me firmë janë konfirmim politik i kësaj marrëveshjeje. Pra, për të mbyllur gojën e institucioneve, për të pastruar figurën e Robajt dhe për të legjitimuar ndërtimet në vijën e parë bregdetare e në qendër të qytetit, qeveria shqiptare ka përfituar njëherazi para për fushatë dhe kontroll mbi territorin urban të Vlorës.

Nga kriminel i detit në pronar i tokës shtetërore. Nga skafi në kulla. Nga Otranto në Lungomare.

Kjo është e vërteta e asaj që ndodh kur krimi merr bekimin e shtetit dhe kap çdo hallkë të tij.
Në çdo vend normal, ky person do të ishte subjekt hetimi për pastrim parash dhe pronar tokash të sekuestruara. Në Shqipëri është përfitues i tokës publike dhe “pionier i zhvillimit urban”.

Dhe ndërsa Babloku shpall luftë për drejtësi, firmos në heshtje legalizimin e vrasësve në emër të "investimeve". Dhe ndërsa Prokuroria hesht, SPAK shikon nga ana tjetër dhe SHISH e përfundon raportin e vet pa pasoja, të njëjtët njerëz që vranë, sot blejnë qytetin./Pamfleti

Nga skafist i tragjedisë së Otrantos, në ndërtues kullash

Nga skafist i tragjedisë së Otrantos, në ndërtues kullash

viron robaj

Lini një Përgjigje