
Në vend të ndëshkimit dhe shkatërrimit të pronës së fituar në mënyrë të dyshimtë, ajo jo vetëm që ka shmangur përgjegjësinë penale për vite me radhë, por është edhe përfituesja direkte e lejeve të reja ndërtimi nga AZHT...
Ish-drejtoresha e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Sarandë, sot drejtoreshë e Postës Shqiptare, është nën hetim penal prej tre vitesh për falsifikim dokumentesh, shpërdorim detyre dhe legalizime fiktive në masë. Dhe megjithatë, ajo jo vetëm që nuk është përballur me drejtësinë, por është shpërblyer me një post të ri publik.
Në një sistem drejtësie ku drejtësia duhet të jetë e shpejtë dhe pa kompromis, historia e Aida Demit në Sarandë është një dështim flagrant i mekanizmave shtetërorë që duhet të mbrojnë interesin publik dhe ligjin.
Aida Demi, e cila në kohën kur drejtonte Agjencinë e Kadastrës në Sarandë përfitoi një sipërfaqe toke të madhe ngjitur me “Hotel Demi” pronë e marrë me dokumente të falsifikuara, ka arritur jo vetëm që të shmangë ndëshkimin, por edhe të përfitojë leje ndërtimi nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AZHT), duke përforcuar statusin e saj si përfituesja direkte e pasurisë së ndërtuar mbi baza false.
Skandali që përfshin Aida Demin tregon në mënyrë të qartë dhe shqetësuese sesi një person i dyshuar për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre, në vend që të ishte nën arrest apo paktën nën masa kufizuese, vazhdon të përdorë sistemin shtetëror për përfitime personale.
Hetimet e nisura nga Prokuroria e Sarandës prej më shumë se tri vitesh, pa asnjë masë konkrete, kanë lënë hapësirë që Aida Demi të aplikojë dhe të marrë leje të reja ndërtimi, duke përdorur të njëjtat dokumenta të falsifiluara që janë objekt i hetimit penal.
Kjo situatë përbën një tjetër kapitull të errët në lidhjen e njohur prej kohësh mes administratës lokale dhe skemave të paligjshme të ndërtimit, ku dokumentet falsifikohen, pronat përcaktohen dhe legalizohen në mënyrë të paligjshme, ndërsa zyrtarët e përfshirë shpërblehen në mënyra të ndryshme, duke përfshirë edhe pozicione të larta publike.
Në rastin konkret, sipas burimeve të brendshme dhe raporteve të institucioneve kontrolluese, janë mbi 270 legalizime të dyshimta që janë bërë në Sarandë gjatë kohës që Aida Demi ishte drejtoreshë e Kadastrës. Ndër këto përfshihet edhe prona ku ajo vetë ka përfituar me dokumente të falsifikuara, duke krijuar kështu konflikt të pastër interesi dhe shkelje të rëndë të ligjit.
Për më tepër, fakti që ajo është pajisur vetëm pak ditë më parë me leje ndërtimi nga AZHT për të njëjtën pronë ngjitur me “Hotel Demi”, përforcon bindjen se sistemi është i kapur dhe manipulimi vazhdon pa u ndalur. AZHT-ja, si institucion që ka për detyrë mbrojtjen e zonave natyrore dhe kontrollin e ndërtimeve në zonat e mbrojtura dhe bregdetare, duhet të kishte refuzuar automatikisht aplikimin nëse do të kishte informacionin e duhur për dokumentet e falsifikuara dhe hetimin në vazhdim.
Por ajo që shqetëson më shumë është fakti se asnjë nga institucionet shtetërore nuk ka ndërmarrë deri tani masat e nevojshme për të garantuar respektimin e ligjit dhe parandalimin e korrupsionit në këtë rast. Prokuroria e Sarandës, që duhet të ishte përballur me rastin në mënyrë të menjëhershme dhe të ashpër, duket të jetë më shumë “kujdestari” i një dosjeje të zvarritur, ku palët e përfshira vazhdojnë të manovrojnë lirshëm.
Kjo përbën një kërcënim serioz për besimin e qytetarëve te sistemi i drejtësisë dhe shërbimeve publike. Ndërsa qytetarët e thjeshtë përballen me vështirësi për të marrë leje ndërtimi, me procedura të gjata dhe burokraci, zyrtarë të dyshuar për veprime kriminale jo vetëm që nuk ndëshkohen, por shpërblehen duke u vendosur në pozicione të reja apo duke u pajisur me leje të reja.
Ndërkohë që Ardian Halilaj, ish-drejtori i IMT-së në Durrës, u arrestua dhe kompleksin e tij të paligjshëm e shembën me tritol, si një mesazh i qartë kundër abuzimit dhe korrupsionit, rasti i Aida Demit në Sarandë tregon një realitet tjetër.
Në vend të ndëshkimit dhe shkatërrimit të pronës së fituar në mënyrë të dyshimtë, ajo jo vetëm që ka shmangur përgjegjësinë penale për vite me radhë, por është edhe përfituesja direkte e lejeve të reja ndërtimi nga AZHT, duke u përforcuar në pozicionin e përfitueses së sistemit. Ky kontrast tregon se drejtësia në Shqipëri shpesh sillet me dy standarde dhe me urdhër politik, ku disa me lidhje dhe pushtet arrijnë të shmangin ndëshkimin, ndërsa të tjerët përballen me masa të rrepta dhe publike.
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AZHT) ka dijeni të plotë për faktin se Aida Demi ka përfituar këtë pasuri ngjitur me “Hotel Demi” me dokumente të falsifikuara, për të cilën ekziston edhe një hetim penal në vazhdim. Megjithatë, pavarësisht këtyre fakteve dhe rrezikut ligjor që përfaqëson, AZHT-ja ka dhënë së fundmi leje ndërtimi për këtë pronë, duke i hapur kështu rrugën legalizimit dhe përfitimit të mëtejshëm në mënyrë zyrtare. Ky veprim lë të kuptohet se institucionet shtetërore në disa raste tolerojnë dhe madje mbështesin praktikën e falsifikimeve, duke minuar besimin në ligjin dhe drejtësinë në vend.
Ndërkohë, Prokuroria e Sarandës po “depilon” Aida Demin me një kujdes dhe ngadalësi që vetëm një manikyrist profesionist mund ta rivalizojë. Tre vjet hetime, pa asnjë veprim konkret, sikur të jetë një spa luksoz për dosjen e saj ku çdo ditë ajo del e freskët dhe e pa prekur nga ligji. Qytetarët presin drejtësi, prokuroria duket se ka vendosur ta “stilizojë” çështjen, duke i dhënë kohë të mjaftueshme që prona të legalizohet dhe lejet të marrin firmat përkatëse. Në fund, në vend të prangosjes apo masave shtrënguese, kemi një trajtim VIP për një prej personazheve më të diskutueshme të krimit mjedisor në jug të Shqipërisë.
Në një qytet ku drejtësia pretendon të jetë “e re dhe e reformuar”, realiteti tregon një tjetër tablo: Prokuroria e Sarandës, me prokuroret e saj të reja, është kthyer në mburojë të falsifikimeve të Aida Demit.
Ndërkohë që ajo përfiton leje ndërtimi nga AZHT-ja me dokumente false, hetimet zvarriten dhe asnjë masë nuk merret. Kjo “drejtësi e re” duket më shumë si një patronazh që mbështet interesat e pushtetit dhe mbron ata që sfidojnë ligjin, duke i bërë qytetarët të humbasin çdo shpresë për ndëshkim dhe drejtësi reale. /Pamfleti
Ndoshta Prokurores së Sarandës gjatë hetimeve i rezulton që në shkelje ligji, janë të përfshirë edhe subjekte që kanë imunitet ndaj hetimeve, ndaj ndoshta do shpallin moskompetencë dhe dosjen do ja kalojnë SPAK. Njëjtë sikurse bëri Prokuroria e Fierit për dosjen Bankers.
Ato ndoshta, lejani drejtesise sepse korrupsion i gjalle ekziston ne dokumentat e hipoteke ne Sarande..... Duhet te jeshe me orgjine cam te marresh dokumenta e shtepive ne Sarande... Aida Demi u arrest ua si ka mundesi te kapi pune tjeter shteterore aq me teper qe e larguan nga nje pune qe ka abuzuar me korrupsion, kjo eshte qeveria socialiste me korrupsion te gjalle.