TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia10 Dhjetor 2025, 14:30

Qemal Dedja me 12 kompani hije, “banka” e milionave të zeza për pallatet e kullat që ndërton me të vëllain, Skënder Dedja

Shkruar nga Pamfleti
Qemal Dedja me 12 kompani hije, “banka” e milionave të zeza
Kullat e Qemal Dedja /

Pas lejes së kullave 210 milionë euro te Rruga e Kavajës, zbulohet struktura me 12 kompani fiktive të Qemal Dedjas që furnizon me para të zeza ndërtimet e vëllait, Skënder Dedja...

Leja që Edi Rama i dha firmës “Glob 3X” për dy gradaciela në Tiranë ka zbuluar një rrjet të gjerë pastrimi parash të drejtuar nga vëllezërit Skënder dhe Qemal Dedja. Hetimi i “Pamfleti” tregon se financimi i kullave nuk buron nga aktivitetet e deklaruara, por nga 12 kompani fiktive të ngritura nga Qemal Dedja në Shqipëri, Itali, Rusi dhe Maqedoni, të cilat nuk kanë bilance tatimore prej vitesh, por qarkullojnë qindra milionë euro jashtë bankave. Kompanitë “DEJA MARBLEUS”, “Materia Cons.Al”, “Materia Elite Stone”, “OLSTRON”, “Renewable Albania”, “Redon Cargo Service” dhe të tjera përdoren për grumbullimin e fondeve të padeklaruara dhe financimin e ndërtimeve luksoze. Qemal Dedja rezulton i përfshirë në konflikte me armë, në dosjet “SKY ECC”, në financime ilegale dhe në skema të pastrimit të parave për pallatet dhe kullat e ndërtuara nga familja. Raportet e SHISH, Anti-Krimit dhe Inteligjencës Financiare ndër vite e identifikojnë këtë strukturë si rrjet kriminal që përdor ndërtimin për të legalizuar miliona nga burime të errëta. Leja për kullat 210 milionë euro është vetëm maja e ajsbergut.

Kur Edi Rama i dha firmës “Glob 3X” të ish-sigurimistit Skënder Dedja lejen për ndërtimin e dy gradacielave në zonën e rrugës së Kavajës në Tiranë, u mendua se bëhej fjalë për një leje të zakonshme biznesi. Por duke investiguar vlerën 210 milionë euro të projektit, “Pamfleti” zbuloi se Skënder Dedja, i biri Visjan, bashkëshortja Hajrie, vajza Brunilda dhe dhëndri gjerman Marcel Alexander Düren përdornin biznesin e ndërtimit për të pastruar të ardhurat e gjashtë kompanive të tyre me lidhje mafioze në Shqipëri, Maqedoni, Itali, Gjermani dhe Rusi.

Të dhënat e reja zbulojnë se financimi i kullave dhe pallateve nga Skënder Dedja nuk kryhet vetëm nga aktivitetet kriminale të vetë kompanive të tij, por edhe nga një rrjet me 12 kompani fiktive të krijuara nga i vëllai, Qemal Dedja, një emër i njohur për financime ilegale në ndërtim dhe përfshirje në skenarë vrasjesh.

Rrjeti i 12 kompanive të Qemal Dedjas që grumbullojnë miliona euro të zeza për kullat e vëllezërve Dedja

Sipas raporteve të SHISH, Anti-Krimit Ekonomik dhe Agjencisë së Inteligjencës Financiare, ndërtuesi Skënder Dedja financohet ilegalisht nga kompanitë që ka ngritur Qemal Dedja me ortakë të tij. Disa prej tyre janë:

·         “DEJA MARBLEUS”, krijuar më 20 qershor 2016, me aktivitet gurore e shfrytëzim minerar. Qemal Dedja ka 80 për qind të aksioneve dhe Laura Kokëdhima 20 për qind. Kompania ka nëntë vjet pa bilance tatimore, por qarkullon rreth 130 milionë euro në vit jashtë bankave.

·         Laura Kokëdhima, bashkëpunëtore e ngushtë e Qemal Dedjas, ka siguruar miliona ilegale përmes kompanisë italiane “CONSULTING S.R.L.”, ku është administratore. Më 16 janar 2025 ajo krijoi filialin “RENEWABLE ALBANIA” në Tiranë, duke hyrë si financuese në ndërtimet e grupit Dedja.

·         “MATERIA ELITE STONE”, krijuar më 16 janar 2019, me 50 për qind të aksioneve të Qemal Dedjas dhe 50 për qind të Skënder Cevenit, pjesë e rrjetit të kromit ilegal. Kompania ka gjashtë vjet pa bilance tatimore.

·         “DEJA WATER”, krijuar më 19 korrik 2019, me pronar të vetëm Qemal Dedjan. Ka gjashtë vjet pa bilance tatimore.

·         “OLSTRON”, krijuar më 2 shtator 2022, me ortak Qemal Dedjan dhe Fitim Goxhajn, i njohur si ndërmjetës financimesh ilegale në projekte luksoze. Tre vjet pa bilance.

·         “Redon Cargo Service”, e krijuar më 26 qershor 2017, me veprimtari transport detar dhe agjenci turistike. 20 për qind e aksioneve i ka Artur Dedja, djali 17-vjeçar i Qemal Dedjas në kohën e krijimit. Tani tetë vjet pa bilance tatimore.

·         “MATERIA CONS 01”, krijuar më 9 nëntor 2019 nga Qemal Dedja. Pas dy javësh ia dhuroi djalit 19-vjeçar Artur Dedja. Me këtë kompani janë ndërtuar “Vlora Beach Tower” dhe gjashtë pallate në Vlorë me financime të padeklaruara. Tani tetë vjet pa bilance.

·         “Materia Cons.Al”, krijuar në vitin 2015. Ka financuar ndërtimin e 21 pallateve, komplekseve të vilave dhe rrugëve në Tiranë, Vlorë, Durrës dhe Kavajë. Dhjetë vjet pa bilance tatimore dhe pa deklaruar burimin e fondeve.

·         Dy firma “Qemal Dedja-Person Fizik”, me adresë te ish-Uzina Dinamo dhe te Rruga e Elbasanit, të përdorura për qarkullimin e fondeve dhe punime pa dokumentacion financiar.

Qemal Dedja grumbullon miliona për ndërtimet e vëllezërve përmes ortakëve të tij në kompanitë “Euro Edil”, “Futura Energy” dhe “Porto Romano Industrial Park”, të gjitha pa bilance dhe me aktivitet jashtë kontrollit tatimor.

Fakte të forta për përfshirjen në pastrim parash dhe krim të organizuar

·         Më 4 gusht 2012, Qemal Dedja u plagos me armë gjatë një konflikti për ndarjen e pjesëve në disa pallate në Vlorë e Tiranë. Në këto projekte ai kishte financuar miliona euro ilegalisht. Konflikti u zhvillua mes grupit të tij dhe grupit të Alban Xhillarit.

·         Në përgjimet “SKY ECC”, emri i tij del si pastrues parash në ndërtim, financues i policëve dhe kriminelëve për zbulime dhe hakmarrje pas vrasjes së nipit të tij, Klevis Lleshi.

·         Sipas raporteve të SHISH, Anti-Krimit Ekonomik dhe Agjencisë së Inteligjencës Financiare për periudhën 2015–2025, Qemal Dedja del si grumbullues i milionave që përdoren për ndërtimet e tij dhe të vëllait Skënder Dedja, si dhe i lidhur me skema kriminale të tjera.

Ky rrjet është një strukturë e përfshirë në pastrim parash, financim ilegal të ndërtimeve dhe përfitim lejesh ndërtimi me bazë kapitali kriminal. Leja e kullave te Rruga e Kavajës është vetëm maja e ajsbergut./Pamfleti

 

skender dedja qemal dedja banka e milionave të zeza 12 kompani hije

Lini një Përgjigje