TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia 5 Maj 2026, 11:22

Si u “gradua” Drejtor i Ujërave në ministrinë e Bujqësisë, Idriz Haxhiaj, “xhambazi” i pasurive të sekuestruara

Shkruar nga Pamfleti
Si u “gradua” Drejtor i Ujërave në ministrinë e
Idriz Haxhiaj, në rreth të kuq /

Idriz Haxhiaj, i larguar nga ushtria për cenim të sigurisë dhe i raportuar vazhdimisht nga Antikrimi e EUROPOL për shitje informacionesh sekrete kriminelëve, u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Ujërave e Digave në mars 2025, ndërsa gjatë 8 muajve në krye të Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara zhvati pronarët me gjoba ilegale dhe lejoi kriminelët të rikthenin pasuritë përmes ankandeve fiktive...

Rasti i oficerit të kontingjentit të krimeve, Idriz Haxhiaj, dëshmon se drejtues të ushtrisë e policisë, të përfshirë në aktivitete kriminale, jo vetëm nuk preken nga drejtësia, por emërohen në detyra të tjera, nëpërmjet ujdive mes pushtetarëve dhe eksponentëve të krimit me të cilët kanë lidhje.

Më 10 mars 2025, oficeri Idriz Haxhiaj, me urdhër të kryeministrit Edi Ramës dhe vendim të ish-ministres Anila Denaj, u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Administrimit të Ujërave dhe Digave në Ministrinë e Bujqësisë, pa pasur asnjë lidhje me këtë sektor.

Prej muajit dhjetor 2018 e deri në shkurt 2025, oficeri Idriz Haxhiaj ishte Drejtor i Politikave të Rendit dhe Sigurisë Publike në Ministrinë e Brendshme, por paralelisht brenda kësaj periudhe, nga 24 shkurt deri më 30 shtator 2024, ishte edhe Drejtor i Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara.

Ai u bë pjesë e ministrisë së Brendshme nëpërmjet lidhjeve të vjetra e të pista me ish-ministrin Sandër Lleshaj, kur ishin bashkë në ushtri, ku Idriz Haxhiaj ka qenë Drejtor i Zbulimit në Ministrinë e Mbrojtjes; Zv/Rektor i Universitetit "Skënderbej"; Drejtor i Operacioneve dhe Stërvitjes në Shtabin e Ushtrisë.

Ai u largua nga ushtria pas raporteve të NATO-s dhe Shërbimit Sekret të Ushtrisë, të cilat e kishin skeduar Idriz Haxhiajn për cenim të integritetit dhe sigurisë në detyrat që kryente, nëpërmjet përfshirjes në veprimtari të paligjshme dhe lidhje me figura të krimit.

Megjithëse i skeduar, ai gjeti "strehë" dhe post të lartë në ministrinë e Brendshme, i emëruar Drejtor i Politikave të Rendit dhe Sigurisë Publike me vendim të ministrit Sandër Lleshaj, ndërsa më pas u emërua paralelisht edhe Drejtor i Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara.

Por edhe gjatë 6 viteve në ministrinë e Brendshme, aktiviteti i Idriz Haxhiajt u shoqërua me raportime periodike nga Antikrimi, SHISH dhe EUROPOL, për përfshirjen e tij në lidhje me figura të krimit, të cilëve u jepte informacione sekrete për aktivitetin e Policisë së Shtetit, ku kalonin dhe informacione nga FBI, DEA, SPAK, Prokuroria, SHISH dhe agjencitë partnere të vendeve të BE-së.

Në shërbim të figurave të krimit, oficeri Idriz Haxhiaj u vu hapur gjatë 8 muajve shkurt-tetor 2024, kur paralelisht drejtoi edhe Agjencinë e Pasurive të Sekuestruara në ministrinë e Brendshme.

Ai u denoncua dhe u skedua për pazare me kriminelë të çdo lloji dhe biznesmenë, të cilëve u janë sekuestruar e konfiskuar pasuri të paligjshme, duke i lejuar t'i shfrytëzonin në këmbim të ryshfeteve, por dhe duke ua rikthyer me çmime të ulëta, nëpërmjet ankandeve me blerës fiktivë.

Gjatë 8 muajve drejtor i pasurive të sekuestruara, ai konsiderohej si "Idrizi i tmerrshëm", ngaqë  zhvaste me gjoba ilegale për pronat e sekuestruara nga Shkodra, Kukësi e deri në Sarandë, duke bërë lista ryshfetesh dhe i kontaktonte vetë, ose me ata që ia çonin sekserët.

"I tmerrshmi" Idriz Haxhiaj, përveç aferave korruptive në ushtri dhe shitjes së informacioneve policore te kriminelët, bëri pazare të shumta me pasuritë e sekuestruara, duke siguruar përfitime të paligjshme, që i pastroi me pasuri brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Faqja amerikane e pasurive të paluajtshme "traded.co" njofton se Idriz Haxhiaj është bërë pronar i një pasurie me vlerë 2 milionë e 850 mijë USD në Nju Jork, konkretisht 3398 m² magazinë në "Bronxdale Avenue" te Morris Park.

Ndërsa prej 1 viti, pasi iku nga ministria e Mbrojtjes dhe nga ministria e Brendshme si drejtues me disa dosje të zeza, oficeri Idriz Haxhiaj është katapultuar Drejtor i Përgjithshëm i Administrimit të Ujërave dhe Digave në Ministrinë e Bujqësisë./Pamfleti

 

idriz haxhiaj drejtor i ujërave dhe digave ministria e bujqësisë

Lini një Përgjigje