Partizani ka mbetur pa drejtor sportiv, pasi Agim Ibraimi ka dhënë dorëheqjen nga detyra, duke i dhënë fund bashkëpunimit me klubin e kuq. Lajmi mësohet nga burime pranë klubit, ndërsa deri më tani nuk ka pasur një njoftim zyrtar për largimin e tij.
Ibraimi u prezantua në krye të sektorit sportiv të Partizanit më 9 janar nga presidenti Gazment Demi. Megjithatë, qëndrimi i tij në këtë post rezultoi i shkurtër.
Edhe pse ishte i pranishëm në nisjen e përgatitjeve për sezonin e ri, situata ndryshoi brenda pak ditësh, duke çuar në dorëheqjen e tij. Aktualisht, Partizani është pa drejtor sportiv dhe ende nuk ka zyrtarizuar afrimin e asnjë futbollisti gjatë merkatos së verës.
Ndërkohë, lëvizjet në kampin e të kuqve vazhdojnë. Sipas raportimeve të publikuara më herët, Laorent Shabani dhe Kamer Qaka pritet të jenë largimet e radhës nga skuadra.
Më parë, Partizani u nda edhe me Vusal Isgandarlin, Karlos Martinezin, Altin Bytyçin dhe Amos Nondin. Ndërkohë, ish-kapiteni Alban Hoxha i dha fund karrierës si futbollist dhe ka marrë detyrën e trajnerit të portierëve në klub.
Lini një Përgjigje