Anti-Mafia12 Shkurt 2024, 14:22

Ylli i “Shoqes Moza” shiti 140 licenca noteriale dhe 130 licenca përmbarimi mbi numrin ligjor

Shkruar nga Pamfleti
Ylli i “Shoqes Moza” shiti 140 licenca noteriale dhe 130 licenca
Ylli i Shoqes Moza /

Në kohën që Ministër Drejtësie ishte Ylli Manjani, licencat për noterë e përmbarues, u kthyen në pazare të majme, që i komandonin Ilir Meta e Monika Kryemadhi, ndërsa “Ylli i Shoqe Mozës” firmoste e merrte pjesën, mes tyre dhe 13 licenca që i dha bandës përmbaruese “Arben Meskuti e Olsi Ibro”...

Nëse SPAK do hetojë veprimtarinë e Ylli Manjanit, gjatë periudhës nëntor 2015-janar 2017 kur ishte Ministër Drejtësie, përveç punëve të pista me Klement Balilin dhe dekonspirimet e letër-porosive për arrestime kriminelësh, do zbulojë një skandal tjetër.

Gjatë asaj periudhe, Ylli Manjani, ose “Ylli i Shoqes Moza” siç e njohin tashmë, ka dhënë 140 licenca noterësh më tepër se numri i përcaktuar në Ligjin Nr.7829 “Për noterinë”.

Edhe me ndryshimin e ligjit më 11.5.2009, numri i noterëve ishte i përcaktuar me ndarje zonash noteriale sipas numrit të banorëve; dhe çdo licencë e dhënë tepër quhej “Vepër penale”, por vetë ministri i Drejtësisë nuk e përfilli ligjin.

Të njëjtën gjë, “Ylli i Shoqes Moza” bëri me licencat për shërbimin përmbarimor, duke dhënë 130 leje më tepër, megjithëse Ligji Nr. 8730, datë 18.1.2001 e ka të përcaktuar sa leje duhet të jepen për zyra përmbarimore në çdo rreth.

Këtë skandal e zbuloi dhe e denoncoi në muajin korrrik 2017, ish-ministri pasardhës i drejtësisë, Gazmend Bardhi; i cili i kërkoi zyrtarisht Prokurorisë së Tiranës të fillonte hetimin, po u la në harresë, ashtu si hetimi për vjedhjen e 2 milionë Euro, në tenderin për byzylykët elektronikë.

Skandali i 270 licencave noteriale e përmbarimore, të dhëna tepër e në shkelje të ligjit, u fsheh në muajin tetor 2017, nga Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj; me të cilin e lidhte fakti, që Ylli Manjani ishte ministër i LSI dhe sekser i Ilir Metës, kushëririt të Etildës.

Sipas raportit auditues që bëri Gazmend Bardhi dhe e çoi në Prokurorinë e Tiranës, rezultoi se ish-ministri Ylli Manjani i kishte dhënë licencat pa procedurë testimi dhe shumicën i ka dhënë jashtë kritereve ligjore, madje dhe individëve me precedentë penal.

Në kohën që ministër Drejtësie ishte Ylli Manjani, licencat për noterë e përmbarues, ishin pazare të majme, që i komandonte çifti Meta-Kryemadhi, ndërsa Ylli firmoste e merrte pjesën.

Ky skandal i Yllit, doli përsëri në skenë në muajin mars 2023, kur Ministria e Drejtësisë, filloi verifikimin për ligjshmërinë e licencave të noterëve e përmbaruese; dhe zbuloi shumë licenca të paligjshme, mes tyre dhe individëve me precedentë penal, si 13 licenca që i kishte dhënë  bandës përmbaruese e noteriale “Arben Meskuti- Olsi Ibro”.

Përveç këtij skandali, në raportet e mbledhjeve të ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë gjatë vitit 2016, është zbuluar se ish-ministri Ylli Manjani si anëtar, ka votuar kundër shkarkimit të 42 gjyqtarëve të korruptuar e me lidhje kriminale.

Në disa shkrime, “Pamfleti” ka denoncuar faktin, që gjatë detyrës ministër Drejtësie, Ylli Manjani merrte mijëra Euro ryshfete nga trafikantë e vrasës në kërkim, të cilët i njoftonte paraprakisht për Letër-Porositë e arrestimit që dërgonin INTERPOL, DEA, FBI e EUROPOL.

Nëse SPAK. do që ta hetojë veprimtarinë e Ylli Manjanit gjatë periudhës nëntor 2015-janar 2017 kur ishte Ministër Drejtësie, provat janë në Ministrinë e Drejtësisë./Pamfleti

shoqe moza ylli manjani licenca noteriale licenca përmbarimi